Prokuroria për pronat: Gati për arrestime të tjera në Hipotekë
Prokuroria është gati të lëshojë edhe disa urdhra të tjerë arresti për abuzimet që janë bërë në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Informacioni për këtë është konfirmuar nga grupi hetimor që po punon për dokumentin e dosjes së gjashtë personave të arrestuar pak ditë më parë gjatë operacionit të koduar "Furtuna". Sipas të dhënave hetimore, prokuroria ka konfiskuar kopje të dokumenteve të hipotekave, për të verifikuar veprimet e kryera nga gjashtë të arrestuarit, prej të cilëve tre ishin punonjës në këtë organ, ndërkohë që një tjetër ishte oficer i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Burimet bënë të ditur se gjatë verifikimeve ka rezultuar që shkelje janë kryer edhe në dokumentet e tjera, kështu që përgjegjësit janë në një numër më të madh. Grupi hetimor nuk ka pranuar të tregojë se sa është ky numër, por sipas tyre, në një kohë tjetër do të ketë sërish arrestime në Drejtorinë e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për abuzime me pronat. Në lidhje me këtë, grupi hetimor po mbledh edhe dëshmi të tjera të qytetarëve, të cilët janë paraqitur në prokurori për të denoncuar mbi shkeljet që janë bërë me pronat e tyre. "Pas vlerësimit të gjithë ankesave, dëshmive dhe denoncimeve, do të priten urdhër-arreste të tjera për të gjithë personat e dyshuar se kanë kryer abuzime me mbivendosje të pronave", ka shpjeguar grupi hetimor. Për gjashtë javë, Prokuroria e Tiranës ka mbledhur fakte dhe prova bindëse për arrestimin e tre zyrtarëve të hipotekës dhe tre bashkëpunëtorëve të tyre. Hetuesit dhe prokurorët e Task-Forcës kanë mbajtur nën përgjim dhe vëzhgim personat e arrestuar. Tashmë, hetimet po përqendrohen në mbivendosjen e pronave nga të arrestuarit, të cilët dyshohen se kanë përfituar miliona lekë për këtë "shërbim". Gjithsesi, hetuesit e çështjes thanë se u bëjnë thirrje qytetarëve të Tiranës, të cilët kanë dyshime se prona e tyre është mbivendosur, të denoncojnë rastet dhe personat përgjegjës në prokurori. Mësohet se aktualisht ka vonesa në regjistrimin e pasurisë dhe ka gabime në harta dhe kartela, pasi në formulimin e këtyre dokumenteve ka pasur ankesa të shumta, duke shtuar këtu edhe pasurinë e mbivendosur, apo kartelat e akt-shitjeve, ku për regjistrimin e një pasurie depozitohet një kontratë shitjeje dhe një vërtetim pronësie nga Hipoteka. Pikërisht këto shkelje janë bërë objekt verifikimi dhe hetimi nga seksioni i Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës. Të gjithë personat e dyshuar do të japin shpjegime para grupit hetimor dhe nëse konstatohet se kanë shkelur procedurat ligjore, atëherë dosja do të kopsitet dhe do të dërgohet në gjykatë.
Task-Force
Operacioni "Furtuna",
në pranga 4 zyrtarë
Pak ditë më parë, gjashtë persona kanë përfunduar në prangat e policisë, ndërsa dy të tjerë janë shoqëruar, pasi akuzohen për korrupsion. Tre prej të arrestuarve janë punonjës të zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ndërkohë që dy të tjerë merreshin me shitje pronash. Ndërsa personi i gjashtë që ka përfunduar në prangat e policisë ka qenë oficer i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Policia deklaroi para pak ditësh se Enton Babameto, Artan Mehmeti, Ramiz Hykaj, Dali Hakorja, Halil Hima dhe Veiz Cenko janë emrat e gjashtë të arrestuarve, ndërkohë që emrat e të shoqëruarve nuk janë publikuar për arsye hetimore. Megjithatë, grupi hetimor shpjegoi se vazhdon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tyre kriminale, pasi ata dyshohen se duke shfrytëzuar detyrën kanë përfituar shuma të mëdha parash për mbivendosje të pasurive të paluajtshme. Të arrestuarit akuzohen për korrupsion dhe janë denoncuar se kanë mbivendosur prona të qytetarëve të Tiranës.