E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi-Dimitrenko, sfida për titullin ndërkontinental

Boksieri kosovar, Luan Krasniqi, do të provojë në mars të rikthehet edhe një herë protagonist, duke synuar fitoren e titullin evropian dhe ndërkontinental të WBO. Dueli spektakolar me Aleksandër Dimitrenko do të zhvillohet më 8 mars, në "Porsche Arena" të Shtutgartit, ku Krasniqi do të mundohet jo vetëm të mundë një prej boksierëve më në formë për momentin, por edhe të tentojë të ringjisë klasifikimin botëror për të synuar brezin botëror për peshat e rënda.

Krasniqi kthehet në ring pas humbjes zhgënjyese me Tomi Tompson në qershorin e vitit të kaluar, në një ndeshje të vlefshme për eliminatoret e titullit WBO. 36-vjeçari e ka të qartë se ndeshja e radhës me Dimitrenkon do të jetë për "jetë a vdekje", pasi aty duhet të provojë se është ende një prej boksierëve më të mirë në botë në peshat e rënda. Në të njëjtën kohë, një sukses do ta bënte atë pretendent për një ndeshje me mbajtësit e brezit botëror, sidomos në kategorinë WBO. Fitorja ndaj një prej 10 boksierëve më të mirë në botë mund ta kthejë atë përsëri në pozitat e një viti më parë, kur cilësohej pretendent për këtë titull. Normalisht, çdo rezultat tjetër nga kjo ndeshje do të shuante përfundimisht shpresat e boksierit kosovar dhe lamtumira e tij nga ringu profesionist do të ishte e pashmangshme.

Nga ana tjetër, Dimitrenko është 10 vjet më i ri se Krasniqi dhe cilësohet nga të gjithë si një nga kampionët e ardhshëm të botës. Mbajtësi i titullit ndërkontinental WBO ka një rekord prej 27 fitoresh dhe asnjë humbje, ndërsa 17 prej këtyre sukseseve kanë ardhur me KO. "Gjiganti" është në 10 boksierët më të mirë në të gjitha renditjet e federatave të ndryshme, ndërsa mban vendin e dytë në WBO. Në nëntor, ai mundi në raundin e 12-të me KO gjermanin Timo Hofman, duke dominuar ndaj tij dhe duke treguar se tashmë është gati për objektiva të rëndësishëm. Pikërisht kjo e kthen ndeshjen e 8 marsit në një prej sfidave më interesante të vitit, pasi do të përcaktojë karrierën e dy boksierëve. Krasniqi do të ketë si zakonisht mbështetjen jo vetëm të publikut gjerman në arenën e Shtutgartit, por edhe atij shqiptar, që e ka ndjekur vazhdimisht kosovarin gjatë të gjithë karrierës së tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›