E Diel, 1 Nëntor 2026

Kulti i të vdekurve

Mihal Apostoli

Ky udhëtar ka parë një ceremoni vdekjeje më 1467 në Shkodër dhe thotë se qanin me kujë, me britma të forta me grupe në këmbë dhe gratë po së bashku të ulura. Thotë se bërtisnin si kretasit e lashtësisë në martesat e heronjve dhe në festat e perëndive.

Rodini

Ky misionar më 1637 thotë se shqiptarët qajnë e bërtasin pa masë mbi të vdekurit e tyre: "bërtasin me të madhe më shumë se një gjysmë ore, bërtasin bashkërisht më me të madhe nga ç‘kanë bërtitur izraelitët në vendin e Hannanint kur kanë varrosur patriarkun Jakob.

Në Malësi

Në Mirditë, në Dukagjin, në Pukë e ndonjë vend tjetër deri nga mesi i shek XX është ruajtur praktika për burra të përmendur, t‘i vënë në karrige vesh e ngjesh rëndë, armatosur me takëme personale si ato të duhanit, sahati në varg, ndonjë vegël pune e instrument muzike që ka pasur për qejf gjatë jetës e ashtu e vajtonin orë të tëra.

Një grua nga Kaçinari i Mirditës në janar të vitit 1944 vajton kështu një burrë pleqnar e të shquar, të vrarë në pritë nga gjaksori: "A të ka kapë fort mërzia?/A mje mërzit e fort gushtue?/ Sa do vonë ka shkue,/ato varre të pa ti ndrrue?/ Në këtë mënyrë vajtimi ajo i tregon se kanë ardhur të gjithë për ta parë, se djemtë e tij janë shumë të mërzitur për babën e vdekur, se djalin e tij "Zefin do ta martojnë"/ "Nuk do t‘kërcejmë as nuk do t‘knojmë", pra që janë në zi për të zotin e shtëpisë që ka vdekur…

Profesori dhe etnologu i njohur, Mark Tirta, i ka kushtuar një studim të veçantë tërësisë së dukurive historiko-kulturore të vendit tonë, duke u ndalur disi më gjatë te "Kulti i vdekjes". Kjo etapë e pashmangshme e jetës prej secilit prej nesh, ka një histori të sajën interpretimi në të shkuarën tonë. Nëse sot dhembja e humbjes së dikujt që e kemi pasur aq pranë mund të kalohet dhe në heshtje, në traditën tonë të shkuar studiuesit kanë mbledhur ato copëza historish që bëjnë të plotë një panoramë sesi është përjetuar kjo humbje në treva të ndryshme të vendit. Duke iu referuar studimit të profesor Tirtës "Kulti i të vdekurve", studim që ka ardhur si pasojë e hulumtimeve të tij në këtë fushë, ne zbulojmë disa detaje sesi është perceptuar në kohë ky moment.

"në tërësinë e dukurive historiko-kulturore të traditës, të sinkretizuara në jetën shpirtërore të popullit tonë, një vend të veçantë e tejet domethënës zënë mitet, ritet e besimet për vdekjen, për të vdekurin për varret, për "jetën e përtejme", për atë që e quajmë "Kulti i të parëve" dhe "lidhja e tyre me fatet e të gjallëve në bashkësitë fshatare. Ka në brendi të tyre një simbolikë ku janë shkrirë bashkë shtresime të ndryshme mitesh, ritesh, besimesh nga më të lashtat e deri në më të vonat, përfshirë këtu edhe anën emocionale, poetike figurante. Në vështrim të jashtëm të duket se ritet e përfytyrimet për vdekjen e për lidhjen e të gjallëve me botën e të vdekurve zënë një vend tepër të skajshëm në jetën shpirtërore të shoqërisë njerëzore, por në të vërtetë në bashkësitë njerëzore nuk është aspak kështu", thotë profesor Tirta. Sipas tij, "vdekja është ndërprerja e jetës po ndërkohë dhe vazhdim i jetës ndër pasardhës, ndër trashëgimtarë. Jo më kot, dijetarë të ndritur të njerëzimit kanë formuar aksiomën se të gjallët drejtohen nga të vdekurit, në kuptimin e trashëgimisë e të vazhdimësisë në tradita e doke të vjetra në mendësi".

Nëse i referohemi studimit të profesor Tirtës në përfytyrimet tona popullore mendohet se njeriut në agoni nuk i del shpirti në qoftë se nuk ka pranë të tërë të afërmit e tij.

"Prandaj ai që e mban në krah kur është duke hequr shpirt i thotë me të madhe atij që po vdes: "është këtu…" e përmend shumë emra njerëzish, edhe pse në atë çast mund të mos ndodhen aty. I thotë "të gjithë kanë ardhur këtu për ty". Besohej se njeriu në agoni apo i porsavdekuri i dëgjon fjalët e thëna dhe ndien lehtësi në trup të tij, kalon atë jetë i qetë disi i kënaqur se kanë ardhur të gjithë për t‘i dhënë lamtumirën e fundit për ta nderuar. Ndoshta kjo lidhet me zanafillën e lashtë të saj, me një etikë hyjnore pagane po dhe me frikën se i vdekuri në të kundërtën duke marrë atribute të mbinatyrshme mund t‘u bëjë keq njerëzve. Kush e nderon në këtë rast do të shpërblehet nga i vdekuri me mirësi në të ardhmen me forcën e tij të mistershme e të mbinatyrshme", shkruan prof Tirta.

Si një njeri që e ka prekur mirë terrenin, ai tregon se në bashkësitë fshatare në veri e në jug të trojeve shqiptare ka qenë i pranishëm besimi se njeriu që vdes "ndërron jetë", po ha, pi, dëgjon, sheh e flet, ndien e argëton ashtu si dhe në këtë jetë. "I vdekuri dëgjon gjamën e burrave e vajtimin e grave, po kështu dhe emrat e atyre që vijnë për ngushëllim. Nga vajtimet e gjamët e frymëzuara i vdekuri gëzohet, madje "ven dhe buzën në gaz". Besohej se kur njeriu është i vrarë nga arma, ndien dhimbje e fytyra i nxihet nga sikleti; po kështu kur i vdekuri ka lënë disa dëshira jetike pa plotësuar; ai ka lënë fëmijë e grua "mes katër rrugëve", shkruan prof Tirta.

Sërish te studimi i profesorit gjejmë: "në vajtime të ndryshme i thuhet të vdekurit: "Kur të shkosh në atë jetën tjetër" duhet të takojë këtë e atë, t‘i përqafojë, t‘u bëjë të fala, t‘u tregojë gjithë çka ndodhë në familje, në fis a në krahinë të tyre, pasi ata "të asaj bote" kanë ndërtuar jetë e duan të dinë se ç‘bëhet këtej. Gruaja e Grudës më 1918 i thotë në vajtim të bijës së vdekur: "Kur të shkojsh n‘at jetën tjetër,/Ke me ndeshë ndër burra t‘vjetër/Babë e vllazën e kushrinj/ Mi merr ngryk/o nji nga nji/ M‘u kallzo si shkojm‘ na jetën…"

Gratë vejusha, në vajtimet e tyre gjatë vitit te varri i burrit i kërkojnë atij mendim e këshilla për punë të ndryshme që do të bëjnë. Besojnë se i vdekuri, çka i kërkohet në vajtim: këshillat, mendimet e porositë do t‘ua thotë në gjumë. Një grua arvanite vajton te varri i burrit e kërkon këshilla për martesën e vajzave: …"atë të voglën e dua shum/bën ormi, thoma ndë gjumë!"

Gjama e burrave, vajtimi i grave me zë të lartë në grup duke rrahur gjoksin duke gërritur fytyrë e duar duke shkulur flokët, duke grisur rrobat e tjerë kanë qenë karakteristikë e popujve të lashtë dhe e atyre akzotikë e në popullin tonë janë ruajtur deri në kohë të re në kompleksin e riteve të besimeve të lashta të stërgjyshërve, praktikuar më tepër në Alpet e Shqipërisë po dhe në tërë malësitë shqiptare të Veriut, në Labëri, në arbërore të Greqisë në Kosovë e në shqiptarë të Malit të Zi. Thirrja me zë të lartë e emrit të të vdekurit nga gjumturët, nga dikush është lidhur me simbolikën se ata nuk duan të besojnë se ka vdekur, por duke u mbështetur në të dhënat e terrenit e në besime të tjera më e arsyeshme është të shpjegohet me besimin se i vdekuri i dëgjon dhe për këtë i vjen mirë se po i bëjnë gjëmë, se po e nderojnë miqtë, të afërmit e dashamirët e tij.

Në vajtimet mortore të malësive, në mes të britmave e kujave ku qajnë me dënesë e gërrisin fytyrën se dikujt i bie të fikët nga emocionet, del në vajtim papritur një skenë optimizmi thuhet: mbas sodit marshim nuse, bafshim dasma, lefshin djelm!"

Interesante sipas profesor Tirtësbjanë disa lidhje të çuditshme në mes jetës dhe vdekjes, tokës që mban brenda dhe "jetës" së të vdekurit doke me rrënjë të lashta.

"Në Mirditë, në Dukagjin, në Pukë e ndonjë vend tjetër deri nga mesi i shek XX është ruajtur praktika për burra të përmendur, t‘i vënë në karrige vesh e ngjesh rëndë, armatosur me takëme personale si ato të duhanit, sahati në varg, ndonjë vegël pune e instrument muzike që ka pasur për qejf gjatë jetës e ashtu e vajtonin orë të tëra. Në varr deri vonë në disa vise shqiptare i kanë shtruar të vdekurit kashtë thekre, gruri, misri ose fier e mbi to një shtresë me lesh, ashtu siç ndodhte edhe në jetë. Në Malësi të Tetovës e në disa vende të tjera të vdekurit që vajtohej i vinin mbi trung e pranë tij kmesë, kosë, vegla të tjera pune që i ka përdorur gjatë jetës. Janë jo të pakta rastet që deri në mesin e këtij shekulli disa objekte ia kanë futur të vdekurit në varr.

Sipas profesor Tirtës, misionarë të huaj të shek XV -XVII që i vërejtën këto rite të vdekjes ndër shqiptarë i vlerësuan ato si të natyrës pagane të çuditshme. Sipas tyre, në vdekje bëhen shpenzime të mëdha me dreka, darka çka e shkatërronte përbindshëm ekonominë familjare e ngrinin problemin për t‘i ndaluar ato.

Udhëtari Mihal Apostoli ka parë një ceremoni vdekjeje më 1467 në Shkodër dhe thotë se qanin me kujë, me britma të forta me grupe në këmbë dhe gratë po së bashku të ulura. Thotë se bërtisnin si kretasit e lashtësisë në martesat e heronjve dhe në festat e perëndive.

Ndërsa misionari Rodini më 1637 thotë se shqiptarët qajnë e bërtasin pa masë mbi të vdekurit e tyre: "bërtasin me të madhe më shumë se një gjysmë ore, bërtasin bashkërisht më me të madhe nga ç‘kanë bërtitur izraelitët në vendin e Hannanint kur kanë varrosur patriarkun Jakob.

Fakti që studiues të huaj i kanë quajtur shqiptarët si "homerikët e fundit në Ballkan" për profesor Tirtën kjo ka një domethënie etnohistorike. "Këta skenarë ritualë të vdekjes e "të jetës së përtejme" na bien të/ fosilizuara mendësi, psike e besime të kohës së lashtë, si pjesë e kompleksitetit etnokulturor- ilir-arbnor-shqiptar, një kulturë që u ka qëndruar me forcë rrymave të kohës. Ajo ka qenë forcë e kohezionit etnik në këtë popull", thotë profesor Tirta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›