TURQI – Arrestohen mbi 120 persona për korrupsion

STAMBOLL, 1 korrik /ATSH-DPA/ – Autoritetet turke arrestuan sot mbi 120 persona në një hetim të gjerë për korrupsion që synonte administratën e qytetit të Izmirit, i cili qeveriset nga partia Republikane Popullore (CHP) e opozitës, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.
Midis të arrestuarve janë ish-kryetari i bashkisë së Izmirit Tunç Soyer dhe kryetari i krahinës së CHP-së Senol Aslanoglu.
“Prokurorët lëshuan urdhërarreste për një total prej 157 të dyshuarish si pjesë e hetimit”, sipas Anadolu.
Izmiri, qyteti i tretë më i madh i Turqisë pas Stambollit dhe Ankarasë, shihet si një bastion i madh i CHP-së, duke mbajtur një peshë të konsiderueshme politike dhe ekonomike.
CHP, aktualisht partia më e madhe opozitare e Turqisë, është vënë nën presion politik dhe gjyqësor në rritje, në muajt e fundit.
Shumë vëzhgues i shohin hetimet si pjesë e një fushate më të gjerë nga qeveria e presidentit Rexhep Tajip Erdogan për të dobësuar partinë.
Në muajin mars, Ekrem Imamoglu, kryetari popullor i Stambollit nga CHP dhe një rival i mundshëm i Erdogan, u arrestua zyrtarisht dhe u shkarkua nga detyra.
Dhjetëra bashkëpunëtorë të tij janë arrestuar gjithashtu në valë të shumta arrestimesh. //a.i/