Rusia kërcënon Kosovën dhe vendet perëndimore
Moska ka kërcënuar drejtpërsëdrejti Kosovën, por indirekt edhe fuqitë e mëdha perëndimore, duke deklaruar se Kosova kurrë nuk do pranohet si shtet nga Kombet e Bashkuara apo organizma të tjerë politikë ndërkombëtarë nëse shpall pavarësinë. Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitali Çurkin, përkrahu Presidentin serb, Boris Tadiç, i cili i ritheksoi Këshillit të sigurimit se Beogradi nuk do të pranojë kurrë një Kosovë sovrane. Si anëtare e përhershme, me të drejtë veto në Këshillin e Sigurimit të përbërë nga 15 kombe, Rusia ka fuqinë për të bllokuar çdo kërkesë nga Kosova për t‘u bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara. "Shqiptarët e Kosovës nuk do të bëhen anëtarë të Kombeve të Bashkuara, nuk do të bëhen anëtarë të institucioneve politike ndërkombëtare nëse ata ndjekin rrugën e deklaratave të njëanshme", u tha gazetarëve Çurkin.
Presidenti i Serbisë i tha Këshillit të Sigurimit se vendi i tij nuk do ta njihte pavarësinë e Kosovës dhe do të ‘ruante integritetin e tij territorial me të gjitha format demokratike, argumentet ligjore dhe diplomaci‘. "Serbia nuk do të përdorë dhunën dhe luftën", shtoi ai, duke kërkuar për "kompromis të pranueshëm nga të dyja palët". Tadiç tha se njohja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës do të kishte "pasoja të paparashikueshme për rajone të tjera që përballen me separatizëm etnik".
Presidenti serb, Boris Tadiç, shtrëngoi duart me Thaçin. Në lidhje me këtë fakt, Kryeministri i Kosovës më pas i tha një gazetari se "Ne shtrënguam duart si udhëheqës të dy vendeve të pavarura". Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, tha se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe do ta ruajë sovranitetin dhe integritetin me mjete demokratike dhe diplomatike. "Dua të konfirmoj se Serbia nuk do të përdorë dhunë", tha Presidenti serb. Megjithatë, ka shtuar ai, nëse shpërthen dhuna në Kosovë, dhe nëse KFOR-i nuk do të jetë në gjendje që të reagojë në mënyrë adekuate për të mbrojtur serbët, "Serbia është e gatshme që me pëlqim që institucioneve përkatëse ndërkombëtare të ndihmojë duke ofruar mbrojtje për popullatën e rrezikuar". Tadiç ka shprehur mospajtim me raportin e UNMIK-ut për situatën në Kosovë, në veçanti për gjendjen e pakicës serbe. Sipas tij, ky raport nuk pasqyron gjendjen e vërtetë në Kosovë. Plani i detajizuar i Rusisë për Kosovën, i cili është propozuar Këshillit të Sigurimit të OKB do të mund të kontribuoj vazhdimit të negociatave dhe afrimit të pozicioneve të Beogradit dhe Prishtinës, deklaroi ish-anëtari i Trojkës, Aleksandar Bocan Harcenko. Ai tha se ftesa e Rusisë që të vazhdojnë negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës për statusin e Kosovës në bazë të kompromisit po fiton mbështetje gjithnjë e më të madhe mes anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, të cilat janë përfshirë nga janari i këtij viti.