Kapelo dëshiron Botërorin: Kjo është sfida ime
Fabio Kapelo është i bindur se mund të udhëheqë Anglinë drejt fitores së Botërorit 2010, pasi ky është objektivi që i ka vënë vetes që në momentin kur ka marrë drejtimin e kombëtares britanike. Italiani 61-vjeçar do të prezantohet zyrtarisht para mediave vetëm ditën e sotme nga drejtuesit e Federatës Angleze, por tashmë ai ka bërë të qartë se cili do të jetë objektivi kryesor. "Jeta ime mund të kishte qenë e thjeshtë, por mua më nevojitet një sfidë. Nuk ka sfidë më të madhe sesa të përpiqesh të ngjitësh Anglinë në majën e futbollit botëror. Unë do të fitoj Kupën e Botës. Nëse nuk do ta mendoja një gjë të tillë, nuk do ta kisha pranuar këtë post, por do të kisha vazhduar të luaja golf. Unë do të bëj maksimumin për ta kthyer përsëri Anglinë në një kombëtare të suksesshme", deklaroi ai për të përditshmen britanike "News of the World".
Kapelo ka punuar gjatë kohëve të fundit si një editorialist në gazetën spanjolle "Marca", si dhe komentator sportiv në kanalin televiziv italian, "Rai". Por ai do të ndërpresë plotësisht marrëdhëniet e tij me publicistikën për t‘iu dedikuar plotësisht kombëtares angleze. Pas prezantimit të tij para mediave gjatë ditës së sotme, Kapelo do të vihet në kërkim të një shtëpie në Londër, pasi ai do të zhvendoset në Angli për të vëzhguar nga afër futbollistët që do të grumbullojë në kombëtare. Anglia ka një miqësore në fillimin e muajit janar me Zvicrën, në atë që do të jetë ndeshja e debutimit për trajnerin italian, i cili po mendon të bëjë disa ndryshime në skuadër, duke filluar nga kalimi i shiritit të kapitenit te mesfushori Stiven Xherard. Megjithatë, Kapelo ka treguar se nuk ka ende preferenca dhe se deri në fillimin e eliminatoreve të Botërorit 2010 do të provojë të gjithë lojtarët. "Të gjithë lojtarët do të kenë një fillim të ri me mua, të gjithë do të kenë shansin për të treguar vlerat e tyre. Të luash për vendin tënd është nderi më i madh për një lojtar, e di këtë pasi e kam pasur një nder të tillë edhe vetë. Por pres që lojtarët të japin 100% dhe të sillen si profesionistë gjatë të gjithë kohës. Nuk flas shumë mirë anglisht, por do të filloj kurse private sa të transferohem në Londër. Do të më duhet të komunikoj edhe me trajnerët anglezë, ata janë shumë të rëndësishëm në krijimin e kombëtares", u shpreh Kapelo.