E Diel, 1 Nëntor 2026

Pike: Alonso është superpilot

Nelsinjo Pike e ka kuptuar shumë mirë rolin e tij te skuderia Reno në vitin e debutimit në Formula 1. Braziliani do të luajë rolin e ndihmësit të Fernando Alonsos, i cili është piloti kryesor i ekipit, ndaj fjalët e tij të para për ekipin francez kanë qenë pikërisht disa lëvdata në adresë të spanjollit, por vetëm pasi ka sqaruar se nuk gjendet në garën më të shpejtë në botë për faktin se është djali i ish-kampionit brazilian, Nelson Pike. "Do të bëj të pamundurën për të nderuar emrin e babait tim. Eksperienca e tij ka qenë shumë e rëndësishme edhe për këshillat që më ka dhënë në vazhdimësi. Por nuk jam në Formula 1 prej tij. Alonso? Ai është një superpilot. Ka qenë dy herë kampion bote dhe vitin e kaluar i shkoi gjithçka keq, pasi gjendej në një skuadër britanike që kishte një pilot anglez si Hemilton, i cili qartësisht favorizohej. Për mua është e rëndësishme që në vitin e parë të bëj një sezon të mirë, edhe për të siguruar vazhdimësinë e punës në edicionet e ardhshme", deklaroi ai. Normalisht, Reno nuk i ka kërkuar të bëjë mrekullinë brazilianit, por ka bërë të qartë se detyra e tij do të jetë të ndihmojë Alonson sa herë të jetë e nevojshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›