E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, bien nga kati i katërt dy punëtorë pastrimi

Dy punëtorë plagosen rëndë, teksa fshinin dhe lanin xhamat e Bankës Kombëtare Tregtare në Tiranë. Ata janë rrëzuar nga një lartësi e konsiderueshme, duke rrezikuar jetën e tyre, ndërkohë që ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak. Eduart Dajçi dhe Leonard Harizi punonin prej kohësh në një firmë private, pavarësisht se policia thotë se ata nuk ishin siguruar pranë vendit të punës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, kur dy punëtorët ishin ngjitur me vinçin e mjetit të tyre deri në katin e katërt. Sipas policisë së kryeqytetit, dy punëtorët e firmës pastruese janë aksidentuar teksa punonin për pastrimin e xhamave të Bankës Kombëtare Tregtare në Unazë, pranë katedrales "Gjon Pali". Si çdo ditë, edhe dje, ata ishin nisur në punë dhe kanë shkuar pranë BKT-së. Me vinçin e mjetit të tyre janë ngjitur në katin e katërt dhe kanë filluar pastrimin e xhamave. Pa kaluar shumë kohë, ata kanë shfaqur shqetësime dhe kanë rënë poshtë. Dëshmitarët okularë dhe punonjësit e tjerë janë afruar në vendin e ngjarjes dhe u kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurve, të cilët nuk mund të lëviznin. Në këto kushte, ata janë dërguar urgjentisht në Spitalin Ushtarak, duke përdorur një makinë civile. Nga ana tjetër, dëshmitarët e vendit të ngjarjes kanë njoftuar edhe shërbimet e policisë kryeqytetase. Brenda një kohe të shkurtër, aty kanë mbërritur shërbimet e Komisariatit Nr. 1 dhe ato të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Menjëherë kanë nisur hetimet e këtij rasti, nga ku ka rezultuar se dy punëtorët e dëmtuar nuk ishin të siguruar. Nga ana tjetër, nga veprimet paraprake rezulton se firma private ku ishin të punësuar të plagosurit, e cila kishte ndërmarrë përsipër pastrimin e Bankës Kombëtare Tregtare, nuk u kishte siguruar atyre kushte teknike. Kështu, policia ka bërë shoqërimin e përgjegjësit të kësaj firme, duke e marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e rëndë. Ndërkohë, dy të dëmtuarit, të cilët ndodhen në Spitalin Ushtarak, nuk kanë mundur të japin dëshmi për policinë, pasi gjendja e tyre shëndetësore është e rënduar. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga mjekët e spitalit, ku, sipas tyre, të dëmtuarit kanë pësuar një sërë frakturash. Ndërkohë, deri në orët e mbrëmjes, policia nuk ka deklaruar asgjë zyrtare në lidhje me këtë incident në punë, megjithëse konfirmohet se për këtë rast kanë nisur hetimet e mëtejshme. Ngjarja e djeshme u shtohet disa rasteve të tjera të aksidenteve në punë, që pas hetimeve ka rezultuar se ndodhin për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë nga ana e firmave private.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›