Rama: Ne, me platformë të gjelbër
Bashkia e Tiranës filloi dje aksionin për mbjelljen e 205 pemëve në aksin nga "Zogu i Zi" deri te Stacioni i Trenit, duke synuar kështu rritjen e përmasës së gjelbër në këtë zonë. Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, i cili ishte i pranishëm gjatë këtij aksioni të Ndërmarrjes së Punëtorëve Nr.1 të kryeqytetit theksoi se:
"Kjo është një periudhë e vitit kur në të gjithë atdheun tonë duhet të zhvilloheshin mbjellje intensive, pasi mjedisi është dhurata më e çmuar që kemi nga natyra dhe është e patolerueshme që këtë dhuratë bujare ne ta shpërdorojmë".
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht edhe i Partisë Socialiste, nuk ka munguar që t‘u kujtojë drejtuesve të Ministrisë së Mjedisit se nuk po e kryejnë detyrën e tyre. "Bashkia e Tiranës po bën gjithçka mundet për të bërë të mundur që gjithsesi, përmasa e gjelbër e kryeqytetit të shkojë duke u rritur edhe pse unë jam i bindur se nesër, me një politikë të re kombëtare, ne do i transformojmë qytetet tona në qytete të gjelbra", u shpreh Rama, duke premtuar për një platformë të gjelbër në të ardhmen.