Trump nënshkruan urdhrin ekzekutiv që u ndalon presidentëve të ardhshëm të ndryshojnë Zyrën Ovale
Presidenti amerikan, Donald Trump ka firmosur një urdhër ekzekutiv për shpalljen e Zyrës Ovale dhe disa prej ambienteve përreth saj monument kombëtar, me synimin për të kufizuar ndryshimet që presidentët e ardhshëm mund të bëjnë në këto hapësira, raporton BBC.

Trump deklaroi se masa synon të mbrojë pamjen dhe strukturën historike të zyrës presidenciale, duke mos lejuar që ato të shkatërrohen apo të ndryshohen rrënjësisht nga administratat e ardhshme.
“Po e bëjmë një monument kombëtar dhe askush nuk do të lejohet ta prekë, ta shkatërrojë apo ta shembë”, u shpreh Trump të enjten për gazetarët.
Gjatë mandatit të tij të dytë, presidenti amerikan ka ndërmarrë ndryshime të konsiderueshme në pamjen e Zyrës Ovale, ku bien në sy elementet e shumta dekorative në ngjyrë ari.
Urdhri ekzekutiv vjen disa muaj pasi Trump ndërmori shembjen e plotë të Krahut Lindor të Shtëpisë së Bardhë, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një salle të re ballore. Projekti është përballur me sfida ligjore, ndërsa ndërtimi ka vijuar pas miratimit edhe nga Kongresi amerikan.
Sipas rregullave aktuale, presidentët e SHBA-së kanë të drejtë të bëjnë ndryshime të caktuara në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa projektet madhore kërkojnë miratimin e Kongresit.
Megjithatë, dokumenti i firmosur nga Trump sqaron se shpallja si monument kombëtar nuk e kufizon autoritetin e presidentit për të ndryshuar dekorin, për të përzgjedhur mobiliet apo për të kryer ndërhyrje të zakonshme operative dhe të sigurisë, për sa kohë që ato nuk cenojnë në mënyrë thelbësore strukturën historike dhe karakterin arkitekturor të ambienteve.