Trump takohet me të dërguarin rus: Mund të arrijmë një marrëveshje së shpejti për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është takuar privatisht të enjten me të dërguarin e Presidentit rus Vladimir Putin, Kirill Dmitriev. Ai nuk zbuloi se çfarë diskutoi me zyrtarin rus, por parashikoi se së shpejti mund të dalë me një marrëveshje që synon zgjidhjen e luftës ruse në Ukrainë.

Duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se lufta ishte afër zgjidhjes dhe se përfundimi i saj mund të përfshijë të gjithë Evropën.
“Do të jetë një marrëveshje e madhe dhe do të përfshijë më shumë se vetëm Ukrainën… Madje mund të them se mund të përfshijë të gjithë Evropën. Do të jetë një marrëveshje e madhe dhe e bukur dhe të gjithë do të jenë të emocionuar”, tha Trump.
Trump ka deklaruar shpesh se është afër një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.