Tur në nder të Ardian Rexhës
Një aktivitet sportiv do të kujtojë gjithmonë që nga dita e sotme e në vijim çiklistin kampion Ardian Rexha, i cili nuk jeton më. Federata Shqiptare e Çiklizmit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkia Fier kanë vendosur që një tur çiklistik të mbaj emrin e tij. Turi ka startuar dje në orën 10:00 të paradites. Mësohet nga organizatorët se turi i parë ka mbledhur përfaqësues nga 10 ekipet më të mira të çiklizmit në vend. Liu Bistika, përfaqësues i federatës shumësportëshe në Fier, tha se "ky tur do të mbajë gjithmonë gjallë emrin e një kampioni, i cili humbi jetën gjatë stërvitjes, por shënoi rezultate të larta për Fierin dhe ekipin që përfaqësonte. Madje, edhe sot Fieri dhe ekipi ‘Apolonia‘ mbajnë vendin e parë në këtë sport". Gara është zhvilluar në aksin rrugor Fier-Vlorë dhe në mbyllje të saj është organizuar një ceremoni përkujtimore për çiklistin fierak Ardian Rexha, të cilit bashkia i ka akorduar edhe një titull pas vdekjes.