Vllaznia, kthehet Haxhiosmanoviç
Dervish Haxhiosmanoviç do të ulet për të katërtën herë në stolin e Vllaznisë, pasi malazezi ka pranuar mbrëmë postin e trajnerit të ekipit shkodran. Trajneri që i dha titullin e fundit kampion skuadrës kuqeblu në vitin 2001, tashmë do të ketë një detyrë më të vështirë, rikthimin e skuadrës në nivelet e larta, pasi në javët e fundit duket se shkodranët kanë humbur shumë nga shkëlqimi i tyre qenë aktualisht larg objektivave që i kishin vënë vetes në fillimin e këtij sezoni.
Menjëherë pas shkarkimit të Josës pas humbjes me Teutën, drejtuesit e skuadrës kuqeblu u vunë në kërkim të një trajneri. Vllaznia do të luajë të mërkurën në Kupën e Shqipërisë përballë Besës dhe kalimi i turit është vendimtar për objektivat e klubit që kërkon të sigurojë medoemos pjesëmarrjen në Kupat e Evropës. Presidenti Fushaj, gjatë ditës së djeshme ka shqyrtuar të gjitha alternativat e mundshme për stolin e skuadrës, pasi ka kontaktuar me trajnerë të ndryshëm. Fillimisht dukej sikur në stolin e skuadrës shkodrane do të ulej Agim Canaj, i larguar pak javë më parë nga drejtimi i Dinamos kryesuese. Por kërkesat e kuqebluve nuk përputheshin me ato të trajnerit dinamovit, ndaj është vendosur që të kontaktohet me Dervish Haxhiosmanoviç, një njohës i mirë i Vllaznisë dhe trajner i skuadrës që në sezonin 2000-2001 fitoi titullin kampion. Malazezi ka udhëtuar mbrëmë drejt Shkodrës, ku ka takuar drejtuesit e Vllaznisë, duke pranuar menjëherë ofertën e tyre për të marrë drejtimin e skuadrës. Haxhiosmanoviç e kishte bërë të qartë edhe më parë se ishte i gatshëm në çdo kohë të drejtonte Vllazninë, me të cilën kishte pasur jo vetëm sukseset më të mëdha në karrierën e tij si trajner, por edhe me të cilën ka krijuar një lidhje të fortë pikërisht për sukseset me kuqeblutë. Si rrjedhojë, bisedimet me drejtuesit e Vllaznisë kanë qenë kryesisht rreth ndeshjeve të kësaj jave për ekipin shkodran.
Ndonëse detyra e Haxhiosmanoviç është shumë e vështirë, ky i fundit ka edhe besimin e grupit të lojtarëve, të cilët e njohin shumë mirë malazezin. Aktualisht, në përbërjen e Vllaznisë janë 8 futbollistë nga skuadra që fitoi titullin e fundit në vitin 2001: Safet Osja, Elvin Beqiri, Vioresin Sinani, Suat Lici, Uliks Kotrri, Albert Kaçi, Edmond Doçi dhe Admir Teli. Për më tepër, falë eksperiencave të tjera në pankinën e Vllaznisë, Haxhiosmaniviç ka pasur mundësinë të shohë thuajse të gjithë lojtarët e tjerë që aktualisht militojnë në këtë skuadër, me përjashtim të të huajve. Kjo do ta bëjë më të lehtë punën e teknikut, në një ambient që tashmë pret vetëm fitore nga skuadra. gjatë ditës së sotme do të bëhet prezantimi para mediave i trajnerit të ri, ndërsa Haxhiosmanoviç do të fillojë menjëherë punën me skuadrën. Kuqeblutë do të luajnë të mërkurën përballë Besës një sfidë shumë të vështirë për Kupën e Shqipërisë. Barazimi 2-2 në Kavajë avantazhon ekipin shkodran, të cilit i mjafton edhe një barazim pa gola për të kaluar në gjysmëfinalet e turneut.