Tare-Bogdani, si rivalë vetëm për dy minuta
Takimi mes Lacios dhe Livornos në Serinë A pritej të vinte përballë dy sulmuesit shqiptarë të këtyre dy skuadrave, Igli Taren dhe Erjon Bogdanin. Por në fakt, dy futbollistët kuqezi janë ndeshur me njëri-tjetrin vetëm në dy minutat e fundit të takimit, ndërsa asnjëri nuk ishte titullar në këtë sfidë të fituar nga Lacio me rezultatin 2-0. Bogdani është aktivizuar në fillimin e pjesës së dytë, atëherë kur Livorno i kishte pësuar dy golat dhe kërkonte me dëshpërim të gjente rrugën e rrjetës për të synuar të paktën një barazim. Megjithatë, sulmuesi shqiptar nuk ka qenë përsëri në një ditë të mirë dhe nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës, duke humbur mundësinë për të shënuar golin e tij të 20-të në Serinë A. Nga ana tjetër, Tare është aktivizuar vetëm në minutën e 91-të, jo për zgjedhje taktike, por duke zëvendësuar Rokin, në mënyrë që ky i fundit të merrte duartrokitjet nga publiku i stadiumit "Olimpiko". Ndërkohë, Altin Lala nuk është aktivizuar asnjë minutë në ndeshjen që Hanover ka humbur 2-0 në fushën e Leverkusenit. Kapiteni i përfaqësueses po kalon një gjendje gripale dhe nuk ka qenë as në stolin e rezervave.