UASHINGTON – Trump në favor të lejimit të gazetarëve në Rripin e Gazës

UASHINGTON, 15 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh mbrëmë në favor të lejimit nga Izraeli të hyrjes së gazetarëve në Rripin e Gazës.
I pyetur nëse do t’i bënte presion Izraelit që të lejojë gazetarët të shkojnë në Gazë për të raportuar mbi përpjekjet humanitare të Uashingtonit në territorin e shkatërruar nga lufta, presidenti amerikan tha seë “do të donte ta shihte këtë të ndodhte. Do të isha plotësisht dakord që gazetarët të hynin atje”.
“Është një pozicion shumë i rrezikshëm për t’u gjendur, siç e dini, nëse je gazetar, por unë do të doja ta shihja këtë”, shtoi Trump.
Javën e kaluar, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se i kishte urdhëruar forcat e armatosura të lejonin më shumë gazetarë të huaj të hynin në Rripin e Gazës, duke u thënë gazetarëve në Jerusalem se mediat duhet të shohin përpjekjet e Izraelit për të lejuar ndihmën humanitare të arrijë tek popullsia e Gazës.
Që nga fillimi i luftës në Gazë, gazetarët e huaj kanë mundur të hyjnë vetëm si pjesë e ekipeve të ushtrisë izraelite duke parë vetëm disa zona të caktuara, ndërsa raportimi në terren ka mbetur kryesisht në dorë të gazetarëve vendas. Ende nuk është e qartë nëse udhëzimi i Netanyahut sinjalizon një ndryshim real të kësaj praktike.
Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, të paktën 230 gazetarë dhe punonjës mediatikë janë vrarë në Gaza që nga fillimi i konfliktit, 22 muaj më parë. /Ad.Ab./