ALASKË – Lavrov: Rusia qëndrim të qartë për Ukrainën në takimin SHBA-Rusi

ALASKË, 15 gusht /ATSH- DPA/- Rusia po hyn në bisedimet me Shtetet e Bashkuara në Alaskë me një qëndrim “të qartë dhe të kuptueshëm”, deklaroi ministri i Jashtëm Sergei Lavrov pas mbërritjes në Anchorage .
Lavrov tha se një pjesë e madhe e përgatitjeve për takimin e sotëm mes presidentëve Vladimir Putin dhe Donald Trump u bë gjatë vizitës së të dërguarit amerikan Steve Witkoff në Moskë javën e kaluar, duke shprehur shpresën për të vazhduar atë që e quajti një “bisedë të dobishme”.
“E dimë që kemi argumente, një qëndrim të qartë dhe të kuptueshëm. Do t’i paraqesim ato”, shtoi Lavrov në një deklaratë për kanalin shtetëror”Russia-24
Trump ka thënë se do të nxisë arritjen e armëpushimit në Ukrainë dhe dhënien fund luftës. Putin, i cili urdhëroi pushtimin e plotë në shkurt 2022, deri tani nuk ka treguar shenja të tërheqjes.
Takimi mes dy liderëve është planifikuar të fillojë në orën 11:30 sipas orës lokale (19:30 GMT) në bazën ushtarake “Elmendorf–Richardson”, pranë Anchorage.
Vendndodhja ka simbolikë të fortë; në pikën më të afërt, Alaska ndodhet vetëm disa kilometra larg Rusisë përtej Ngushticës së Beringut. SHBA-ja e bleu Alaskën nga Perandoria Ruse në vitin 1867. /Ad.Ab./