E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – AP: Greqia, Spanja dhe Portugalia në përpjekje për të vënë nën kontroll zjarret, ndërsa BE-ja rrit ndihmën ndërkufitare

ATHINË, 15 gusht /ATSH/- Ekipet e zjarrfikësve në Greqi, Spanjë dhe Portugali u përpoqën dje të vinin nën kontroll zjarret , duke përfituar nga erërat më të qeta që ngadalësuan flakët edhe pse pjesa më e madhe e Evropës Jugore mbetet në rrezik të lartë për shkak të kushteve të nxehta dhe të thata, sipas AP.

Një rënie e shpejtësisë së erës lejoi avionët e zjarrfikësve në tre vendet e goditura rëndë të shtonin sasinë e ujit, duke u përqendruar në zonat ekzistuese të zjarrit në vend që të ndiqnin frontet që lëviznin me shpejtësi.

Autoritetet paralajmëruan se temperaturat ekstreme kishin të ngjarë të vazhdonin.

Autoritetet spanjolle raportuan vdekjen e një zjarrfikësi vullnetar 37-vjeçar i cili pësoi djegie të rënda – në një zonë në veri të Madridit këtë javë.

Kjo ishte vdekja e tretë e raportuar në Spanjë për shkak të zjarreve të fundit.

Mijëra njerëz u evakuuan nga shtëpitë e tyre në rajon dhe ende nuk mund të kthehen.

Në Greqi, Shërbimi i Zjarrfikësve tha se një zjarr i madh jashtë qytetit të Patras ishte vënë nën kontroll – në periferi të zonave urbane.

Tre persona janë arrestuar në lidhje me zjarrin, të cilin autoritetet thanë se mund të ishte ndezur qëllimisht.

Erërat e forta në Greqi u zhvendosën dje në pjesë të ndryshme të vendit.

Ioannis Kefalogiannis, ministri i Mbrojtjes Civile, tha se autoritetet po përgatiteshin për mundësinë e një raundi të ri zjarresh të mëdha.

“Në kushte të tilla, edhe një shkëndijë e vetme është e mjaftueshme për të shkaktuar një zjarr të pakontrollueshëm”, u tha ai gazetarëve.

Agjencia e Mbrojtjes Civile e Bashkimit Evropian tha se iu përgjigj kërkesave për ndihmë këtë javë nga Greqia, Spanja, Bullgaria, Mali i Zi dhe Shqipëria, duke dërguar avionë dhe helikopterë zjarrfikës nga shtetet e tjera anëtare.

Agjencia tha se kishte aktivizuar tashmë ndihmën 16 herë mes zjarreve të kësaj vere, pasi vendet evropiane ishin goditur nga një numër i madh zjarresh katastrofike.

Në Shqipëri, zjarret në pjesët qendrore dhe jugore të vendit u kontrolluan pasi shkrumbuan më shumë se 200 shtëpi.

Kryeministri Edi Rama premtoi se policia do të punonte “ditë e natë” për të kapur zjarrvënësit e dyshuar, të fajësuar nga qeveria për shkaktimin e disa prej zjarreve.

Përtej Detit Mesdhe, Maroku u përball këtë javë me zjarrin më të madh të vitit pranë Bab Tazës, në veri të vendit, i cili dogji pyjet –  i nxitur nga erërat e forta dhe temperaturat e larta.

Autoritetet thanë se avionë me cisterna uji dhe mbi 450 punonjës vunë nën kontroll zjarrin.

Një zjarr i dytë pranë Tetouanit, më në veri, u vu gjithashtu nën kontroll. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›