UASHINGTON – Trump nënshkruan urdhrin për rritjen e tarifave në parqet kombëtare për vizitorët e huaj

UASHINGTON, 4 korrik /ATSH-DPA/- Presidenti Donald Trump nënshkroi sot një urdhër ekzekutiv i cili do t’i bëjë tarifat e hyrjes në parqet kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më të shtrenjta për turistët e huaj.
“Për ata me shtetësi amerikane, tarifat do të mbeten të njëjta”, u tha Trump mbështetësve në Iowa, duke e lidhur politikën e tij me një nga sloganet e tij të njohura: “Amerika e para”.
Dekreti gjithashtu u jep banorëve të SHBA-së akses prioritar në çdo sistem lejesh ose rezervimesh të operuar nga Shërbimi i Parqeve Kombëtare. Kampingjet dhe qasja në parqe shpesh janë shumë të kërkuara, veçanërisht në muajt e verës.
Shtëpia e Bardhë tha se rritja e të ardhurave nga turistët e huaj do të gjenerojë qindra miliona dollarë për projekte konservimi dhe do të ndihmojë në adresimin e një numri të madh të punimeve të mirëmbajtjes.
Gjithashtu, ajo tha se është e drejtë që qytetarët amerikanë të paguajnë më pak se të tjerët sepse taksapaguesit amerikanë financojnë parqet kombëtare.
“Aktualisht të gjithë vizitorët, pavarësisht kombësisë, paguajnë të njëjtat tarifa, që do të thotë se qytetarët amerikanë në fakt paguajnë më shumë në përgjithësi – për shkak të kontributeve të tyre tatimore”, tha zyra e presidentit.
Njoftimi nuk specifikoi se sa më shumë do të duhej të paguanin banorët jo shtetas amerikanë ose si do të funksiononte sistemi preferencial.
Tarifat për të hyrë në parqet kombëtare të SHBA-së ndryshojnë dhe disa nuk kanë fare pagesë.
Yellowstone, Yosemite dhe Grand Canyon, për shembull, aktualisht tarifojnë 35 dollarë për automjetin ose 70 dollarë për një biletë vjetore, ndërsa Parku Kombëtar “Great Smoky Mountains” në Karolinën e Veriut, parku më i vizituar në vitin 2024, është falas. //a.i/