Unë besoj në ëndrrën e lirisë, ashtu si kosovarët
Ju përgëzoj për temën e hapur në Blogun tuaj për heronjtë, sidomos për Adem Jasharin e Nënë Terezën. Prekazi dhe në veçanti Jasharajt, janë emblema e heroizmit të kombit shqiptar në luftën shekullore për liri e pavarësi. Unë isha në Prekaz në atë fund korriku 1999 kur ende binte erë gjaku, në viset e Kosovës Perëndimore e veçanërisht në Drenicë. Unë nuk mendoj se bëj gabim ta krahasoj Prekazin me Krujën. Qëndresa e Prekazit ishte kushtrimi për liri a vdekje i gjithë shqiptarëve të Kosovës, i gjithë popullit të Kosovës.
Unë pashë nga afër gjurmët e predhave të armëve të renda të artilerisë serbe që kishin shkatërruar pothuajse muret e çatinë po jo oxhakun e kullës. Nuk ka motiv më të lartë se liria që të të shtyje të flijosh jetën dhe familjen.
Një familje e tërë luftoi në emër të lirisë dhe yjet e Jasharajve ranë që Kosova të bëhet shtet i pavarur e të gëzojë në demokraci. Jo më kot, kënga kushtuar Adem Jasharit u bë himni i betejave kundër hordhisë serbe. Edhe vetë forcat që shërbyen në KFOR dhe UNMIK janë impresionuar nga legjenda “Adem Jashari”. Mos të harrojmë që ne jemi popull i vogël, por kemi ç’të themi për heroizmin.
Unë besoj në ëndrrën e lirisë, ashtu si kosovarët me breza iu përkushtuan bërjes realitet të kësaj ëndrre që brezat të gëzonin Kosove e lirë pa çizme serbe e pa gryka zjarri.