Veltroni hap fushatën elektorale
Kryetari i Partisë Demokrate italiane, të qendrës së majtë, dhe ylli në ngjitje i të majtës reformatore, Valter Veltroni, hapi dje fushatën elektorale me një "fjalim për Italinë" në Spelli, një qytet i vogël në kodrat e Umbrias. "U kërkoj italianëve të mos votojnë duke menduar për një parti, por duke menduar se çfarë vendi dëshirojnë realisht", deklaroi Veltroni përpara qindra mbështetësve. Duke u ndalur te vendimi për të garuar i vetëm, pa aleatët tradicionalë të të majtës, Veltroni, 52 vjeç, që e ndërtoi popullaritetin tij si kryetar i Bashkisë së Romës, tha se ishte fjala "për një zgjedhje të lirë". "Ne do të paraqitemi me një parti të vetme dhe me një program unik", nënvizoi ai, një strategji kjo që shkëputet nga koalicionet e mëdha të tilla si ai që u drejtua nga Romano Prodi, kryetar i qeverisë që dha dorëheqjen më 24 janar. "Po, ne mundemi!", tha Veltroni, duke përvetësuar kështu moton e famshme "Yes we can!" të kandidatit për zgjedhjet presidenciale amerikane, Barak Obama. PD është 16 pikë mbrapa të djathtës, sipas një sondazhi të javës së kaluar. Veltroni ndërkohë kritikoi ashpër kundërshtarin e tij kryesor, Silvio Berluskoni, 71 vjeç, që gjithashtu paraqitet në krye të një "partie të madhe, unike". E djathta "që qeverisi për shtatë vjet, propozon të bëjë të njëjtën gjë, me të njëjtët njerëz, dhe me të njëjtin program", tha Veltroni që e prezanton veten si kandidati "i ndryshimit".