E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy gra në gjyq, pedagogia: Vajza e jetimores më vodhi identitetin

 

TIRANE - Dy gra me gjeneralitete të njëjta dhe foto të ndryshme kanë mbërritur në Gjykatën e Tiranës për të sqaruar vjedhjen e identitetit. Padia e rrallë, ka nisur të shqyrtohet nga gjyqtari Gerdi Hoxha, ku njëra prej grave akuzohet për falsifikim, ndërsa tjetra ka rolin e kallëzueses. Paditësja quhet Fatmire Ramaj, prindërit e saj janë Gani dhe Fize, lindur më 18 gusht 1949, në maternitetin e Tiranës, rritur në Krahës të Tepelenës, derisa më 1959 është zhvendosur familjarisht në Tiranë, beqare, pedagoge në fakultetin e Histori–Filologjisë. Ka banuar në lagjen 5 të kryeqytetit, ndërsa tani banon në lagjen 9. Të njëjtat gjeneralitete si kjo i mban një tjetër grua, që pretendon se origjinë e saj është nga jetimorja e Tiranës. Pohon se këto gjeneralitete ia kanë vënë gjatë kohës së fëmijërisë dhe se nuk është aspak fajtore për problemet që i ka sjellë pronarit të vërtetë të identitetit. Konflikti midis dy grave me të njëjtat gjeneralitete ka nisur më 25 gusht 2006 kur pedagogia ka aplikuar për pasaportë në komisariatin numër një të policisë. Aty i kanë thënë që kjo është pajisur me pasaportë më datë 25 maj 2004, ndërsa duke kontrolluar më tej është gjetur edhe fotoja e personit që mbante të njëjtat gjeneralitete me të. Pas denoncimit në prokurori u zbulua se Fatmira numër dy vinte në jetimore nga qyteti i Burrelit, me prindër anonimë, dhe se në vitin 1969 kishte siguruar një certifikatë me gjeneralitetet e Fatmire Ramajt, me të cilat kishte bërë celebrimin e martesës. Në vitin 2003 ajo është divorcuar dhe ka rimarrë sërish mbiemrin Ramaj. Ndërsa në fillim të vitit 2007 padia e pedagoges ndaj “kopjes” së saj të paditur penalisht, është pushuar për shkak të amnistisë, çka e ka detyruar atë t’i drejtohej gjykatës për të urdhëruar prokurorinë të nisë hetimin. Pas dy vendimeve gjyqësore të formës së prerë prokuroria e ka hetuar çështjen dhe tashmë ndodhet në duart e gjykatësit Gerdi Hoxha.                 fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›