E Diel, 1 Nëntor 2026

"Për një vit vetëm 3 leje ndërtimi në bregdet"

Ligji i legalizimeve dhe vendimi i ekzekutivit për legalizimin e çdo objekti të paligjshëm ka nxitur sektorin e ndërtimit të veprojë me ritme të larta në bregdet dhe qytet. Ndërkohë, përtej kësaj, është marrë përfundimisht vendimi për ruajtjen e qendrës së qytetit bregdetar. Ajo do të konservohet, kurse 50 kërkesat për leje ndërtimi në këtë zonë duhet të zhvendosen në lagje periferike për t‘i dhënë zhvillim dhe pjesës tjetër të qytetit. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, gjatë një interviste për "Shqip" deklaron se situata ka krijuar një paralizë në punën e policisë ndërtimore për sa i përket ndërhyrjes për të ndëshkuar masakrën urbane, ndërsa ndërtimet nuk reshtin. Marrëdhëniet me pushtetin qendror, problematika e qytetit bregdetar, menaxhimi i sezonit turistik, strehimi, infrastruktura, nevojat dhe reflektimi i tyre në buxhetin e vitit 2008, si dhe një sërë pyetjesh të tjera marrin përgjigjen e qytetarit nr.1 të Durrësit.

Cilat janë nevojat e identifikuara nga administrata juaj dhe sa do të reflektohen ato në buxhetin e bashkisë për vitin 2008?

Në muajin nëntor ndërmora një tur prej 20 takimesh në zona të ndryshme të qytetit dhe tërhoqa nevojat dhe problemet që ato kanë. U përpilua një listë e gjatë nevojash dhe në planifikimin e buxhetit për vitin 2008 mora vendimin që zonat të përfitojnë në mënyrë të barabartë. Shpërndarja e fondeve të jetë sa më e drejtë duke mbuluar nevojat më të rëndësishme të lagjeve të ndryshme. Në të gjitha takimet rezultoi se prioritet ishte infrastruktura dhe u organizua puna për përgatitjen e projekteve. 4 milionë euro do të jenë investimet në infrastrukturë për këtë vit. Në infrastrukturë kemi nisur dy investime në rrugët qendrore që janë "K.Kazanxhi" dhe "Bashkimi". Me këto investime infrastruktura e zonës qendrore të qytetit është e përmirësuar dukshëm, kurse në periferi situata lë mjaft për të dëshiruar. Kërkohen investime shumë të mëdha që nuk realizohen vetëm nga buxheti i bashkisë, po kërkon mbështetje financiare dhe nga bashkia. Në tërësi buxheti i këtij viti është shpërndarë në infrastrukturë, kulturë, sport dhe çerdhe.

Kryeministri Berisha është shprehur të paktën publikisht i gatshëm për të mbështetur Bashkinë e Durrësit, pavarësisht ngjyrës së kundërt politike të saj.

Kemi pasur një marrëdhënie institucionale korrekte dhe Durrësi është qyteti që e meriton këtë marrëdhënie. Tashmë, është kuptuar nga të gjithë se pa bashkëpunim as qeveria nuk mund të realizojë projektet e saj në qytetet e mëdha, po gjithashtu dhe bashkitë nuk mund të zhvillojnë të vetme projektet dhe strategjitë zhvilluese të qyteteve. E parë në këtë kuadër, bashkëpunimi ka qenë i frytshëm. Nuk jemi bërë asnjëherë pengesë për realizimin e projekteve. Konkretisht, në buxhetin e vitit 2008 qeveria ka miratuar rrugën e unazës së Durrësit që Kryeministri e premtoi dhe e realizoi. Ndërkohë, nga Ministria e Transportit kemi marrë një OK për miratim kur ne t‘i paraqesim projektin. Këtë vit, granti i qeverisë për bashkinë është rritur me 170 milionë lekë dhe 55 milionë të tij janë planifikuar në investime. Tendenca e grantit është në rritje, po si qyteti i dytë i Shqipërisë dhe bazuar në të ardhurat që ne i japim buxhetit të shtetit kërkojmë që granti të jetë akoma më i madh. Durrësi të marrë atë që i takon.

Ndërmarrjet e ujësjellësit së shpejti do të kalojnë nën administrimin e pushtetit vendor. A jeni ju gati për këtë kalim dhe si është menduar të zgjidhet situata problematike për furnizimin me ujë të popullatës së etur durrsake?

Ne përshëndesim nismën e qeverisë për kalimin e ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizimeve në varësi të pushtetit vendor, por jemi të pakënaqur dhe kemi rezervat tona. Qeveria duhet të përcaktojë qartë nëse ia kalon kryetarëve të bashkisë apo këshillave bashkiakë, pasi me vendimin e saj kompetencat i kalojnë këshillit bashkiak. Pra, ky këshill emëron drejtorin e Ujësjellësit dhe kërkon llogari prej tij. Kjo e nxjerr jashtë loje kryetarin e bashkisë përderisa nuk ka varësi prej tij dhe as zbaton strategjitë e tij për zhvillimin e qytetit dhe zgjidhjen e problemeve. Kjo do të krijojë probleme në komunikim dhe zbatim, pasi qytetarët ankesën gjithmonë ia adresojnë kryebashkiakut dhe jo këshillit bashkiak. Përtej kësaj, Ujësjellësi i Durrësit është një ndërmarrje me probleme që kërkon investime të mëdha, të cilat mund të realizohen nëpërmjet huamarrjes dhe donatorëve. Kjo do të çonte më pas në përmirësimin e shërbimit.

Si do të menaxhohet këtë vit turizmi në Durrës, ndërkohë që vazhdon betonizimi i bregdetit?

Le ta fillojmë nga pjesa e dytë e pyetjes. Çdo qytetar qoftë në bregdet a në qytet ka të drejtë të aplikojë për leje ndërtimi, ne jemi të detyruar të zbatojmë rregulloren e urbanistikës në dhënien e këtyre lejeve. Dëshira mund të jetë që gjithçka të jetë e virgjër, po kapitalizmi, ekonomia e tregut jep të drejtën që çdo qytetar të zhvillojë pronën e vet. Po ne jemi shumë të kujdesshëm për të respektuar studimin urbanistik të miratuar nga KRTRSH-ja për zonën e plazhit dhe për të përmirësuar hapësirat publike, ndonëse konstatojmë që këto janë fare të pakta. Çdo pallat shumëkatësh në plazh ka leje ndërtimi nga KRRT-ja e kaluar. Për këtë zonë nuk kemi dhënë më shumë se 3-4 leje të cilat nuk kanë nisur akoma. Ndërsa për sa i përket sezonit të ardhshëm turistik them se do të vazhdojë projekti i ruajtësve të bregdetit (Baywatch) dhe do të ofrohet në bashkëpunim me Kryqin e Kuq programi i dhënies së ndihmës së shpejtë në plazh. Po shohim mundësinë e pastrimit të ujit të detit, pasi pastrimi i brezit ranor dhe rrugëve të plazhit është realizuar. Uji i Durrësit ka probleme dhe ne po kërkojmë eksperienca nga qytete bregdetare jashtë vendit. Ne i sigurojmë të gjithë pushuesit se nga Ura e Dajlanit deri në Plepa nuk ka asnjë tubacion të ujërave të zeza që derdhet në det. Njëkohësisht po shikojmë mundësinë e sa më shumë aktiviteteve argëtuese dhe artistike në periudhën e verës. Këto aktivitete do të jenë të shtrira në kohë dhe do të zhvendosen dhe brenda qytetit, jo vetëm në zonën e plazhit.

Masakra urbane mbetet e dukshme dhe ndërtimet pa leje kanë vijuar në bregdet dhe qytet, ndërsa ndërhyrjet e policisë ndërtimore janë thuajse të pandjeshme. Ju keni një eksperiencë drejtuese në policinë ndërtimore dhe tashmë ky organ varet nga ju.

Policia ndërtimore është në proces konstatimesh dhe po hartojmë strategji për të realizuar prishjet. Kemi nxjerrë dhe një fond prej 14 milionë lekësh për blerjen e makinerive prishëse, si ekskavatorë dhe fadroma. Gjithsesi, duhet thënë se na ka çorientuar në punën tonë ligji i legalizimeve, vendimi i ri që ka marrë qeveria dhe që pothuajse legalizon gjithçka. Kjo i ka dhënë një shtysë të fortë ndërtimit, prandaj kjo ka sjellë vështirësi në punën tonë.

Keni kërkuar dhe miratuar ngritjen e detyrimit që duhet të shlyejnë subjektet e plazheve private ndaj bashkisë. Cilat do të jenë efektet e këtij vendimi që duket se do të rëndojë në xhepat e pushuesve?

Vitin që kaloi pati shumë kërkesa për plazhe private, prandaj ne vendosëm ta rrisim këtë tarifë, në mënyrë që bashkia të ketë sa më shumë të ardhura. Kjo ishte logjika, duke u nisur nga fitimet e siguruara prej tyre dhe fakti se ato zënë hapësirën publike që qytetarët e duan falas. Vjet u siguruan rreth 12 milionë lekë të reja nga plazhet private. Të ardhurat e mbledhura kalojnë më pas në investime.

Gjatë fushatës suaj elektorale shërbimet publike i keni vlerësuar si thembra e Akilit për Durrësin që promovon imazh, turizëm, kulturë dhe qytetari. Çfarë është bërë në këtë drejtim?

Fillimisht e kemi nisur punën me shërbimin urban që nga një ndërmarrje me humbje është kthyer në një ndërmarrje me gjendje të kënaqshme financiare. Me fondet e veta do të blihen disa autobusë për të përmirësuar cilësinë e shërbimit, sidomos gjatë stinës së verës. Ndryshime të dukshme janë bërë dhe në Ndërmarrjen e Pastrimit të Durrësit dhe Plazhit, çka mund të konstatohej lehtë dhe në ditën e parë të Vitit të Ri. Nuk ka funksionuar mirë Ndërmarrja e Mirëmbajtjes së Rrugëve për disa probleme kryesisht të trashëguara. Ajo kishte marrë përsipër më shumë investime sesa mund të realizonte. Prandaj për këtë vit mendojmë të aplikojmë një strategji tjetër.

Çfarë po bëhet konkretisht për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në qytet dhe zonën e plazhit? Kujtoj një nga angazhimet tuaja kryesore gjatë fushatës, ndërsa Durrësit i mungojnë ambientet çlodhëse, veçanërisht parqet për fëmijë dhe të rritur.

Problemi qëndron te hapësirat publike që janë shumë të pakta dhe një pjesë e tyre u janë kthyer ish-pronarëve. Ne po mundohemi të rehabilitojmë dhe mirëmbajmë shëtitoren "Taulantia" dhe lulishten në hyrje të Durrësit. Së shpejti do të mbjellim në qytet 1000 pemë dhe nuk do të ndalemi këtu. Kemi dy projekte, synojmë të gjelbërojmë sheshin para hyrjes kryesore të portit detar dhe me një projekt do të mundohemi të disiplinojmë sheshin para Torrës Veneciane ndonëse nga ana teknike është e vështirë, si dhe një projekt për sheshin kryesor të Durrësit.

Strehimi është një nga problemet e mprehta sociale në Durrës. Çfarë po bëhet në këtë drejtim? Sa kanë përfituar aktualisht nga kjo?

Gjatë këtij viti kanë përfunduar dy objekte me 48 apartamente, të cilat janë planifikuar për familjet me statusin e të pastrehëve, por që kanë minimumin e të ardhurave të nivelit jetik. Janë banesa sociale për të cilat kemi rreth 180 kërkesa dhe jemi në fazën e përzgjedhjes. Më pas do të jetë këshilli bashkiak që do të miratojë listën dhe kontratat përfituesit do t‘i lidhin me Entin e Banesave. Ndërkohë, kemi një tjetër projekt me Bankën Evropiane për ndërtimin e 180 banesave dhe për këtë kemi vënë në dispozicion një shesh pranë Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Jemi duke bërë një studim për banesa që t‘i qëndrojnë kohës dhe të mos kthehen në geto. Durrësi ka përfituar nga ky projekt i Bankës Evropiane dhe Ministrisë së Financave. Durrësi ka rreth 6000 të pastrehë dhe 1100 prej tyre janë në shtëpitë e ish-pronarëve dhe sistemimi i tyre është një nga prioritetet e mia.

Ǒdo të bëjë bashkia për të mbështetur shtresat sociale në nevojë. Këtë muaj dy të moshuar nga Durrësi vdiqën të vetmuar në banesat e tyre.

Ne kemi qendrën e të moshuarve, e cila bashkëfinancuar nga Bashkia e Durrësit dhe Banka Botërore, po në muajin mars BB tërhiqet. Ne do ta vazhdojmë këtë projekt dhe nuk do ta mbyllim qendrën, pasi ajo u siguron një ambient mbështetës të moshuarve. Mendojmë ta rrisim dhe pak numrin e të moshuarve përfitues, ndërsa do të ketë një shkurtim në stafin e qendrës.

A janë shfrytëzuar investimet bashkiake për të hapur vende të reja pune?

Ne jemi munduar që të mos kalojmë në privatizim disa prej ndërmarrjeve pikërisht për të mos lënë pa punë të punësuarit në to, pasi janë të pakualifikuar. Ndihma ekonomike është e ulët, rreth 27 mijë lekë të vjetra. Ne u kemi referuar shumë punëkërkues zyrës së punës dhe në muajin e verës shumë prej të papunëve i angazhuam në pastrimin e zonës së plazhit. Pra, bëhet fjalë për punësime sezonale.

Ka funksionuar përgjatë këtij viti të parë të mandatit tuaj platforma 3P (Partneritet Publik Privat)?

Për fat të keq, jo. Për arsye të ligjit. Po presim transferimin e pronave publike në varësi të bashkisë, sepse nuk mund të bësh partneritet kur nuk ke ç‘të ofrosh.

A është e pasur në prona Bashkia e Durrësit, duke iu referuar inventarit të tyre?

Nuk ka shumë. Janë disa ndërmarrje në zonën e Shkozetit, po një pjesë e tyre janë privatizuar. Ndërkohë dhe këto kanë problemet e veta, pasi nuk janë futur në inventar të bashkisë. Janë me destinacion të përcaktuar nëse mund të përdoren për shkollë ose ndonjë objekt tjetër publik. Ne kemi pasur një kërkesë për 5 mijë

metra katrorë për ndërtim shkolle nga ana e Bankës Botërore dhe nuk po e gjejmë dot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›