Vendimi, Gjykata, “arrest me burg” pengmarrësit të autobusit
FIER - Gjykata e Fierit ka dhënë ditën e djeshme masën e dënimit për Eduard Rexhepin, që mori peng autobusin e linjës Tiranë-Sarandë disa ditë më parë. Masa e dhënë ndaj Rexhepit është ajo e “arrestit me burg”, ndërsa avokati i tij mbrojtës ka kërkuar të lihet i lirë pasi vuan nga problemet mendore. Përfaqësuesi i Prokurorisë ka deklaruar se është duke mbledhur fakte për ngjarjen e ndodhur në Fratar të Ballshit, ku autobusi i linjës Tiranë-Sarandë kishte ndaluar për një pushim. I riu Eduard Rexhepi, pak ditë më parë, pikërisht kur autobusi kishte ndaluar, i ka marrë çelësat shoferit duke ndezur më pas autobusin. Pasagjerët që ndodheshin në autobus janë përfshirë nga paniku pasi ky i ri e drejtonte autobusin me shpejtësi të madhe. Por, 25 km larg Tepelenës, në vendin e quajtur Krastë, autobusi ka marrë flakë dhe i riu është detyruar t’i japë fund aventurës së pengmarrjes dhe të zbresë bashkë me pasagjerët. Shkak për rënien e zjarrit është bërë mënyra amatore e drejtimit të autobusit, pasi policia ka deklaruar se ky i fundit nuk kishte aktivizuar frenat e dorës gjatë drejtimit të mjetit. Pasi është dorëzuar në polici, ai ka deklaruar se donte të shkonte në Kakavijë, por nuk kishte lekë për udhëtimin. Edhe pse është deklaruar se i riu vuan nga problemet mendore, Gjykata e Fierit vendosi sot ta lërë në burg pa afat.
Hetimet
Kontrolli në burg, gjenden 4 tableta fostoksinë
Burrel - Katër tableta fostoksinë janë bllokuar në qelitë e Burgut të sigurisë së lartë në Burrel, pasi u zbuluan se ishin futur në qelitë e burgut nga persona ende të paidentifikuar, duke evituar kështu helmimin e ndonjërit prej të burgosurve apo helmimin kolektiv të tyre. Policia ka kryer një kontroll të imtësishëm pas sinjalizimeve të marra për futjen e tabletave me fostoksinë në qelitë e sektorit C ku ndodhen të burgosurit e përjetshëm. Burime konfidenciale nga Prokuroria e Matit konfirmojnë lajmin, ndërsa pohojnë se po kryhet një hetim nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe nga SHKB-ja lidhur me vendndodhjen e tabletave të fostoksinës në burg. Ndërkohë, Prokuroria e Matit është në pritje të nxjerrjes së rezultateve nga SHKB-ja dhe kalimin e dosjes prokurorëve. Dy pistat kryesore në të cilat po hetohet për futjen e fostoksinës në burg, ajo e eliminimit nëpërmjet helmimit të njërit prej të burgosurve të përjetshëm, ose e një helmimi kolektiv të të burgosurve në sektorin C që janë personat e burgosur me jetë.
23 Prill 2010