E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilla italiane: Sekuestrojani pasurinë mafies që ta mundni



Artan CENA
TIRANË - Mafia luftohet duke i konfiskuar pasurinë që bëhet me anë të rrugëve të jashtëligjshme. Ishte prokurori i Antimafies së Leçes, Itali, Dr. Cataldo Motta, që e deklaroi këtë fjalë, pas një takimi të zhvilluar në Tiranë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Motta tha se kriminelët ka bërë pasuri të ndryshme që më pas janë investuar në vendet e tyre dhe këto pasuri duhet të bllokohen dhe t’u hiqet mundësia atyre që të vazhdojnë aktivitetin e jashtëligjshëm. Sipas tij, “t’u marrësh pasurinë mafiozëve është më e rëndë se t’u heqësh lirinë”. Cataldo Motta ndodhet në Tiranë për të zhvilluar takim me zyrtarë të Policisë shqiptare në kuadër të thellimit të bashkëpunimit përtej kufijve për t’iu kundërvënë trafikut të drogës dhe krimit të organizuar. Nga burime të Policisë së Shtetit është bërë e ditur se vizita e kryeprokurorit të Antimafies së Leçes, ka të bëjë dhe me organizimin e disa operacioneve të tjera ndërkombëtare kundër krimit.
Deklarata
“Unë mendoj se aspekti shumë i rëndësishëm i këtij ligji është ai kontrastit kundër pasurisë së mafiozëve, sepse kufiri i ri i kontrastit i këtyre formave të reja të kriminalitetit është privimi i organizatave kriminale nga burimet e tyre pasurore. Është më e rëndësishme edhe se liria personale”, - ka deklaruar për mediat prokurori italian, duke iu referuar ligjit “Antimafie” në Shqipëri. Deklarata është bërë pas takimit që zhvilloi sot paradite me drejtorin e Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Motta vlerësoi mjaft pozitiv bashkëpunimin e mirë me Shqipërinë në kuadër të luftës kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar. Edhe drejtori i Policisë së Shtetit shqiptar vlerëson si të shkëlqyer bashkëpunimin, i cili ka dhënë prova konkrete në kuadër të luftës së krimit të organizuar. “Ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyer mes Policisë italiane dhe asaj shqiptare, Guardia di Financa dhe Interforca, që është treguar me rezultate konkrete të shkatërrimeve të rrjeteve të trafikut, të bëra të ditura dhe në media”, - deklaroi Burgaj për gazetarët, duke shtuar se mes dy delegacioneve është diskutuar dhe për thellimin e bashkëpunimit jo vetëm në luftën kundër krimit të organizuar, por dhe në fusha të tjera.
Bashkëpunimi
“Arritëm të organizonim disa operacione shumë të rëndësishme, veçanërisht me ndihmën e Policisë shqiptare. Është aspekt shumë i rëndësishëm, është shumë e vështirë të arrihet një bashkëpunim i tillë mes dy vendeve, si ai mes Shqipërisë dhe Italisë”, - deklaroi dje Prokurori i Republikës Leçe Itali, Dr. Cataldo Motta. Ai dhe kolonel Patrizio Vezzoli, komandant provincial i Guardia di Financa, Leçe, po zhvillojnë një vizitë 2-ditore në Shqipëri me ftesë të Burgajt. Gjatë takimit të zhvilluar Burgaj dhe Motta vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston mes dy vendeve, si ndërmjet strukturave policore, ashtu dhe në fushën gjyqësore. “Është vështirë që mes dy vendeve të arrihet një bashkëpunim në të tilla nivele, siç është mes dy vendeve tona. Vlera më e mirë e këtij bashkëpunimi qëndron në faktin se është një bashkëpunim si në nivelin policor, ashtu dhe në atë gjyqësor. Kjo bën që ndërhyrja ndaj krimit të jetë e dyanshme si në fushën e parandalimit të goditjes përsa i takon aspektit policor, ashtu dhe në fushën e Drejtësisë përsa i takon aspektit gjyqësor”, - tha pas takimit prokurori i Leçes, Dr. Cataldo Motta. Vizita e Motta-s në Tiranë vjen pak ditë pas operacionit të përbashkët policor shqiptaro-italian që çoi në sekuestrimin e një sasie prej më shumë se 1 tonësh, saktësisht 1215 kg marijuanë në brigjet salentinase dhe arrestimin e 2 shqiptarëve dhe një person tjetër në masën e sigurisë i ndaluar. Droga kishte mbërritur në Itali nëpërmjet kanalit të Otrantos.

Rama-Motta, flitet për operacione në vazhdim
Kryeprokurorja e Shqipërisë, Ina Rama, priti dje në një takim pune kryeprokurorin e Antimafies së Leçes, Cataldo Motta. Biseda mes kryeprokurores Ina Rama dhe Motta-s është përqendruar në çështje konkrete në interes të të dyja palëve dhe janë pikërisht ato çështje në hetim që ndiqen në mënyrë paralele nga dy prokuroritë. Gjatë bisedës mes palëve është folur me terma konkretë për një bashkëpunim më të ngushtë për gjetjen e metodave dhe rrugëve sa më të efektshme për hetime me interes të dyanshëm. Gjatë takimit është prekur çështja e shqiptarëve që kanë kryer vepra kriminale si në Shqipëri, ashtu dhe në Itali.

Basha-Motta, bashkëpunimi të vazhdojë
Prokurori i Antimafies së Leçes, Cataldo Motta, ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme një takim me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha. Burime zyrtare nga Ministria thanë se, Basha dhe Motta vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm që ka konsistuar edhe në finalizimin me sukses të disa operacioneve të rëndësishme kundër tentativave për trafik nga grupe të krimit të organizuar. Ata shprehën gatishmërinë dhe vendosmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit në fazën e re të luftës kundër krimit të organizuar që ka të bëjë me goditjen dhe konfiskimin e aseteve ekonomiko-financiare të krimit të organizuar.

Operacioni “Sun Rise”, arrestime të tjera
Për operacionin “Sun Rise”, ku u bllokua një sasi e madhe lëndësh narkotike dhe në pranga u vunë më shumë se dhjetë persona, kryeprokurori i Antimafies së Leçes, Cataldo Motta, vuri në dukje se do dorëzohet dhe një letër-porosi. “Me ne është dhe oficeri që merret me këtë çështje. Ky ishte rasti i parë pilot dhe pamë që mund të vazhdojmë në këtë rrugë. Shpresojmë që bashkëpunimi të jetë në këtë nivel dhe në të ardhmen”. Sipas tij, edhe ekzekutimi i masave të sigurisë në kuadër të operacionit “Sun Rise” është tregues i një bashkëpunimi shumë të mirë.

23 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›