E Diel, 1 Nëntor 2026

Ari Han: Malta në mbrojtje, por do ta çajmë

Trajneri kuqezi e shikon ndeshjen të vështirë. Ai është i kënaqur edhe nëse fitohet me rezultat minimal

Lojë sulmuese dhe, ç'është më e rëndësishmja, fitore me Maltën, sepse për trajnerin e kombëtares, Ari Han, nuk do të kishte fare kuptim barazimi i merituar në ndeshjen e parë eliminatore me Suedinë. Në konferencën e djeshme për shtyp, holandezi i kuqezinjve e cilësoi përballjen e dytë në "shtëpi" si të vështirë, sepse duhen tri pikët dhe si rezultat i objektivit loja do të ndryshojë krejtësisht nga ajo zhvilluar ndaj nordikëve, që ishte mbrojtëse. Trajneri Han ishte i qetë dhe këtë siguri, sipas tij, ia jep ambienti i mirë që ka grupi, teksa incidenti në stërvitjen e së hënës duket se ishte më shumë për të prishur "syrin e keq". Stafi teknik i kombëtares e njeh mirë Maltën, nisur edhe nga vëzhgimet që i ka bërë në ndeshjet e fundit. Për këtë, kreu i pankinës kuqezi parashikon një "mur" maltez ndaj Shqipërisë, i cili duhet të çarë sa më shpejt. Megjithatë, trajneri Ari Han kërkon që skuadra të mos dorëzohet deri në fund, pra të ketë durimin për të arritur rezultatin. "Nuk është në mënyrën time për të ardhur me vonesë në konferencën e shtypit. Kjo është një mënyrë shqiptare,"- nisi bisedën me gazetarët holandezi, i cili gjatë gjithë kohës ishte nën vëzhgimin e ndihmësit të tij, De Jong, i vendosur në cepin e majtë të sallës. Këtë koment, trajneri e bëri për shkak të ardhjes me vonesë në konferencën e shtypit, që ishte programuar në 12:30 dhe nisi më 12:50. Gjithsesi, humori i tij i ndërthurur me ironi mbaroi shpejt dhe holandezi u fut direkt në temë. "Dua të theksoj se me Suedinë zhvilluam një ndeshje të rregullt dhe mjaft të kujdesshme në mbrojtje, ndërsa tani me Maltën është diçka krejt tjetër. Nuk kemi punuar aq shumë gjatë kësaj kohe, për të ditur se ku jemi realisht. Gjithsesi, për ndeshjen me Maltën do të bëjmë një lojë sulmuese. Do të depërtojmë në zonën e kundërshtarit për të shënuar sa më shpejt,"- tha trajneri i kombëtares.

"Pres një Maltë të ngjeshur në mbrojtje"

Thotë se e njeh mirë Maltën dhe për këtë kërkon një rendiment të lartë nga lojtarët, duke parashikuar që kundërshtari do të jetë i ngjeshur në mbrojtje. "Në radhë të parë, dua të konfirmoj ambientin e mirë në skuadër, në prag të kësaj përballjeje shumë të rëndësishme për ne. Unë e di se kush është Malta, pra mënyrën e lojës që bën kjo skuadër. Pres një mbrojtje të ngjeshur të saj, me gati tetë lojtarë me detyra mbrojtëse. Megjithatë, nga futbollistët e mi dua një rendiment të lartë në lojë, sepse vetëm kështu mund të arrijmë rezultatin. E përsëris, që do të bëjmë një lojë ofensive, por pa harruar këtu mbrojtjen. Shpresoj që lojën ta fillojmë si ndaj Lihtenshteinit, ku për fatin tonë goli doli shumë shpejt. Në këtë ndeshje jemi të orientuar ndryshe, prandaj e përsëris që është një histori krejt tjetër nga Suedia. Një skuadër sulmuese vrapon më shumë se një skuadër mbrojtëse, kështu që ndaj Maltës duhet të bëjmë më shumë,"- thekson njëshi i pankinës kuqezi. Ky i fundit vazhdon avazin, duke mos e deklaruar formacionin. Sipas trajnerit Han, 99% të lojtarëve që do të zbresin nga minuta e parë, e ka në kokë. "Nuk do të ishte mirë të deklaroja formacionin, sepse dua t'i shikoj edhe një herë lojtarët. Pjesën më të madhe të lojtarëve e kam në kokë, por ngelet për t'u rishikuar edhe një pozicion,"- shtoi Hani. I pyetur në lidhje me ndonjë zhvendosje të Canës në mbrojtje, nisur edhe nga provat e bëra gjatë seancave të fundit, përsëri holandezi u tregua i rezervuar. Kapiteni i Marsejës mund të kalojë në rolin e një qendërmbrojtësi, gjë që e ka bërë me sukses më parë si në kombëtare, ashtu dhe te klubi francez, por për ndeshjen me Maltën nuk asgjë të sigurt. "Kam folur me Lorikun dhe ai mund të luajë në pozicione të ndryshme,"- sqaron shkurtimisht holandezi i kuqezinjve.

"Jam i kënaqur edhe me fitore të ngushtë"

Trajneri i kombëtares nuk mund ta imagjinoj dot humbjen me Maltën, por është i ndërgjegjshëm që ndaj këtij ekipi modest e pret një punë e madhe për të kapur fitoren. Ai do të ishte i kënaqur edhe nëse arrihej një fitore minimale. Nisur nga e kaluara, Shqipëria gjithnjë ka hasur vështirësi me ekipet "e vogla", teksa trajneri thotë se e di këtë fakt, prandaj i ka paralajmëruar kuqezinjtë. "Lojtarëve u kam tërhequr vëmendjen që pas ndeshjes me Suedinë. Në dhomat e zhveshjes iu kam thënë që kjo ndeshje duhet harruar sa më shpejt, sepse natyrisht që një ditë është momenti kur mund t'i gëzohesh një rezultati. Duhet të përqendrohemi shumë për Maltën, pasi nuk do të jemi e njëjta skuadër, që në ndeshjen e parë luajtëm me detyra mbrojtëse. Na duhet të fitojmë patjetër dhe mendoj se do të kemi një punë të madhe në këtë ndeshje. Unë parashikoj një "mur" maltez përpara, të cilin do të përpiqemi ta çajmë dhe do ta çajmë. Lojtarët nuk duhet të dorëzohen deri në fund, sepse goli mund të dalë edhe me vonesë. Do të isha i kënaqur edhe me një fitore të ngushtë, ndërsa humbjen me Maltën as mund ta imagjinoj. Kam bindjen që do të fitojmë, sepse përndryshe nuk ka kuptim barazimi që arritëm ndaj Suedisë."

"Lojë ofensive, por një sulmues të deklaruar"

Nisur nga ajo çfarë tha dje trajneri Ari Han në konferencën për shtyp, duket se në fushë me Maltën do të jetë vetëm një nga tre sulmuesit e grumbulluar: Salihi, Bogdani dhe Kapllani. Ndaj Suedisë zgjidhja e holandezit ishte Salihi, por duke parë mënyrën e stërvitjes, Ari Han çështjen e sulmuesit e ka bërë një fjalëkryq të vërtetë. Ditët e fundit është provuar Bogdani, por asgjë nuk është e sigurt se kush do ta nisë nga minuta e parë. Ja si e shpjegoi kreu i pankinës kuqezi zgjedhjen e tij, me vetëm një sulmues të deklaruar: "Loja sulmuese nuk varet nga numri i lojtarëve që ke në repartin ofensiv. Një lojë e tillë do të thotë që të kesh sa më shumë forca që sulmojnë, kështu që skuadra jonë do të jetë e gjitha në zonën e kundërshtarit. Edhe Holanda, që njihet për një lojë krejtësisht sulmuese, luan me një lojtar të deklaruar në këtë repart, pra qendërsulmuesi që mban numrin 9, i cili mbështetet nga mesfushorët. Kështu që, edhe ndaj Maltës po ju konfirmoj se nuk do të luaj me dy sulmues të deklaruar."

Eliminatoret e sotme

Grupi 1

SuediHungari

ShqipëriMaltë

PortugaliDanimarkë

Grupi 2

MoldaviIzrael

LetoniGreqi

ZvicërLuksemburg

Grupi 3

San MarinoPoloni

Irlanda VÇeki

SlloveniSllovaki

Grupi 4

RusiUells

AzerbaixhanLihtenshtein

FinlandëGjermani

Grupi 5

TurqiBelgjikë

BosnjeEstoni

SpanjëArmeni

Grupi 6

AndorraBjellorusi

KazakistanUkrainë

KroaciAngli

Grupi 7

Ish.FaroeRumani

FrancëSerbi

LituaniAustri

Grupi 8

Mali i ZiIrlandë

ItaliGjeorgji

Grupi 9

IslandëSkoci

MaqedoniHolandë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›