E Diel, 1 Nëntor 2026

Fati kthehet kundër Hillari Klinton

Senatorja Hillari Klinton po
përpiqet me të gjitha forcat
të ndalojë thellimin e mëtejshëm
të një krize të ambicies së saj
presidenciale në një kohë kur
sondazhet tregojnë se rivali i saj
më i afërt, Barak Obama, po njeh
rritje të mbështetjes në disa prej
shteteve më të rëndësishme që
mund të ndikojnë në procesin e
nominimit në parti. Kur kanë mbetur
më pak se tri javë nga konventat
e para të demokratëve, ka shenja
se fati është kthyer kundër ish-
Zonjës së Parë. Pasi ka kryesuar në
Ajoua dhe Nju Hemshajër,
sondazhet më të fundit tregojnë
rënie të ndjeshme dhe kanë thyer
disi imazhin e pamposhtur me të
cilin ajo prezantohej në fushatën
e saj elektorale. Kështu, zonja Klinton
është detyruar që të ndërmarrë
një udhëtim të dëshpëruar
nëpër Ajoua, në një përpjekje për
të joshur zgjedhësit e pavendosur.
E duke kërkuar veçanërisht
mbështetjen e grave, ajo ka
shpërndarë nëpër televizione
spote të reja ku shfaqet bashkë me
të bijën, Çelsin, dhe nënën e saj,
88-vjeçare, Doroti Rodham. Që ajo
është në telashe, kjo shihet qartë.
Gjithsesi, "Nëse do të kisha dëgjuar
njerëzit në Uashington, nuk
do të isha këtu sot", u thotë ajo
gazetarëve para se të nisë turin e
fundit në Ajoua. "Unë u besoj instinkteve
të mia. Ndihem shumë
mirë me atë çka po bëj". Fushata e
zonjës Klinton, duket se u godit
javën e shkuar kur drejtuesi i Partisë
Demokratike, në Nju Hempshajër,
Bill Sheehan, foli për një
përdorim droge nga ana e senatorit
Obama, ku ishte i ri, dhe shkoi
deri atje sa pyeti në publik;
"Mos ndoshta ka qenë shpërndarës?"
Ai dha dorëheqjen, pasi
komentet e tij shkaktuan një stuhi
të vërtetë dhe vetë Klinton u
detyrua t‘i kërkonte falje rivalit të
saj. Gjithsesi, për ish-Zonjën e
Parë, ka vend për t‘u ngushëlluar.
Pavarësisht rezultatit në këto
dy shtete, në shkallë kombëtare
ajo kryeson ndaj senatorit Obama
dhe rivalit tjetër, Xhon Eduards.
Por, gjithçka mbetet për t‘u parë.
Në Ajoua, zgjedhjet primare si për
demokratët ashtu edhe për republikanët,
do të zhvillohen më 3 janar.
Ndërsa në Nju Hempshajër,
pesë ditë më vonë dhe këtu, humbja
e terrenit për senatoren e Nju
Jorkut, është më e dukshme. Dikur
me një kryesim komfortues, sot e
gjen veten dy pikë pas Obamës.
Gjithsesi, humbja në Ajoua dhe
Nju Hempshajër, nuk është domosdoshmërisht
fatale për kandidaturën
e zonjës Klinton. Por, sigurisht
që kjo do të rrëzonte mitin e
ngritur rreth saj, si një person i pathyeshëm.
Rivalët e saj, në të
kundërt, do të merrnin një shtysë
tejet pozitive. Edhe vetë Bill Klinton,
ish-presidenti që ka ndihmuar
në mbledhjen e turmave të
mëdha për bashkëshorten, në të
dyja shtetet, tani duket se është
përfshirë nga një lloj pesimizmi.
Në një intervistë dhënë së fundmi
në një televizion amerikan, ai tha:
"Është një mrekulli që ajo ka
shans të fitojë në Ajoua". Në fakt,
telashet për zonjën Klinton, filluan
në një debat televiziv më 30
tetor, në Filadelfia, kur ajo u ndie
në vështirësi në disa pyetje. Rivalët
e saj, u prezantuan dukshëm
më bindës. Por, gara drejt Shtëpisë
së Bardhë, mbetet ende e hapur
dhe muajt e parë të 2008-ës, do të
zbardhin skenarin përfundimtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›