Vora dhe Egnatia ndajnë nga një pikë

TIRANË, 14 shkurt /ATSh/ Vora dhe Egnatia janë ndarë sot në barazim 1-1, në ndeshjen hapëse të Javës së 24-t të kategorisë Abissnet Superiore.
Goli i parë u shënua nga kampionët në fuqi të Superligës në minutën e 18-të të pjesës së parë. Fernando shndërroi në gol me një panenka penalltinë e shkaktuar nga kapiteni i vendasve Barjamaj.
Për vendasit barazoi Kasalla në minutën e 86-të, pas një goditjeje të saktë me kokë të topit të ardhur nga një goditje këndi.
Me këtë barazim Egnatia shkon në kuotën e 43 pikëve, ndërsa Vora ngjitet në kuotën e 26 pikëve, në vendin e shtatë të renditjes.
Po sot, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, Teuta përballet me Bylisin me objektivin e qartë për t’u rikthyer te fitorja dhe për të përmirësuar pozitat në renditje.
Ndërkohë, tri ndeshjet e tjera luhen të dielën. Në orën 16:30 janë planifikuar dy takime. Në “Elbasan Arena”, Dinamo City përballet me Flamurtarin.
Po në të njëjtën orë, në stadiumin “Air Albania”, vëmendja kryesore do të jetë te derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës.
Java e 24-t mbyllet me ndeshjen Vllaznia-AF Elbasani në stadiumin “Loro Boriçi”, në orën 19:30, një përballje direkte mes dy skuadrave që kryesojnë renditjen.