E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Gilmando Danit kalon në SPAK, Prokuroria e Tiranës shpall moskompetencë pasi dyshohet për grup të strukturuar kriminal

Hetimi për atentatin mafioz të 11 nëntorit 2025 pranë aeroportit të Rinasit ka kaluar tashmë në duart e SPAK-ut. Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencë pasi, pas verifikimeve, arriti në përfundimin se vrasja e Gilmando Danit, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, dyshohet të jetë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, me role të ndara nga porositësit te ekzekutorët.

Në atentat mbeti i vrarë në vend Dani, ndërsa agjenti i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Muçi Shaljani alias “Sheqeri”, ndërroi jetë katër ditë më pas në spital. Pavarësisht kontrolleve të shumta, pistave të ngritura dhe dyshimeve të verifikuara, autorët ende nuk janë identifikuar dhe pista kryesore mbetet ajo e përplasjes mes grupeve kriminale.

Ngjarja u zhvillua brenda rreth 80 sekondash. Tre persona të maskuar, të armatosur me kallashnikovë, i zunë pritë mjetit “Mercedes Benz” të Danit në rrethrrotullimin e Rinasit, sapo ai doli nga aeroporti. Sapo makina iu afrua, ata hapën zjarr me breshëri plumbash. Pasi mjeti ndaloi, njëri prej atentatorëve u afrua dhe qëlloi sërish nga afër për t’u siguruar për ekzekutimin, përpara se të largoheshin me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›