KRRT-ja e qarkut miraton lejen për Kakomenë
Vlorë- Pas shumë debatesh, KRRT-ja e Qarkut të Vlorës ka miratuar sot zgjatjen e afatit të lejes së ndërtimit për fshatin turistik të Kakomesë.
Këshilli miratoi me shumicë votash, 12-3, zgjatjen e lejes së ndërtimit për Fshatin Turistik, të Kakomesë. Ky vendim i organit vendimmarrës ne fushën e ndërtimeve ne shkallë qarku, i dha Ok kompanive ndërtuese, për të zgjatur afatin e lejes ndërtimore, leje e cila ishtë kërkuar në qarkun e Vlorës nga vetë firma. Afati kohor i kësaj leje ishte deri në datën 23.6.2007. Punimet e këtij objekti kanë filluar dhe janë ndërprerë për shkak të problemeve gjyqësore midis investitorit dhe pronarëve të tokës.
Mbledhja e muajit korrik është vlerësuar jo pak e ngjeshur nga ana e materialeve të diskutuara, ndërkohë që pjesë e diskutimeve ka qenë plani i zhvillimit të zonës bregdetare të jugut. Me një vendim të vitit 2004 është miratuar detyra e projektimit për shpalljen e konkursit të studimit të bregdetit të jugut dhe sot në KRRT e qarkut janë bërë me dije detaje nga plani i menaxhimit të integruar të zonës bregdetare. Koordinatori i këtij projekti Jamarbër Malltezi ka njohur më gjerësisht me këtë projekt, i cili identifikohet në 8 rajone bregdetare të lidhura me njëra tjetrën. Sipas tij plani i zhvillimit të zonave bregdetare jugore është kryesisht një plan përdorimi i tokës dhe momentalisht nuk përfshin politika gjithpërfshirëse planifikimi.