E Diel, 1 Nëntor 2026

Vret shokun me pistoletë, tenton të vrasë veten

Një 24 vjeçar ka mbetur i vdekur ndërsa është  qëlluar  me armë zjarri pistoletë nga një kushëri dhe shok i tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16 në fshatin Selcë të komunës së Këlmendit në Malësi të Madhe. Petrit Gjokë Bujaj 24 vjeç, lindur e banues në fshatin Selcë të Këlmendit është qëlluar për vdekje nga Gjergj Nikë Bujaj 22 vjeç, banor i të njëjtit fshat. Sipas të dhënave fillestare që vijnë nga vendi i ngjarjes, autori e viktima janë kushërinj të largët por dhe shokë. Të dy kanë kaluar bashkë paraditen e sotme dhe kanë lëvizur me një automjet tip Benz ngjyrë të kuqe në pronësi të autorit. Më pas ato kanë hyrë në një pijetore që ndodhet në fshatin Selcë. Lokali është në katin e pare të një banese, brenda oborrit dhe është në pronësi të Rrok Pëllumbit. Mësohet se dy të rinjtë nuk kanë konsumuar alkool por vetëm pije freskuese dhe më pas kanë dale jashtë. Tek dera e lokalit, në rrethana të paqarta, Gjergj  Nik Buja  ka patur një armë pistoletë në dorë dhe ka qëlluar me një plumb nga distance e afërt Petrit Bujajn, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Sipas informacioneve nga fshati Selcë, por dhe atyre që policia thotë paraprakisht, mendohet se vrasja ka qenë aksidentale, ndërsa autori përpiqej ti tregonte armën viktimës. Po kështu mësohet se vdekja e Petrit Bujajt ka qenë e menjëhershme dhe autori ka tentuar të qëllojë edhe vehten, po me armën që kishte në dorë. Kanë qenë personat e pranishëm në vendin e ngjarjes që kanë penguar autorin të ndëshkonte vehten për atë që kishte bërë duke i neutralizuar veprimet e tij dhe duke ia marrë armën nga dora. Policia ësht nisur drejt vendit të ngjarjes për të kryer veprimet përkatëse dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Autori është ndaluar nga polici i zonës. Mësohet se babai i autorit të vrasjes është efektiv i policisë  pyjore por nuk diht nëse arma që ka qëlluar Petrit Bujan është e tij apo djali i tij Gjergji e kishte gjetur diku tjetër. Viktima  është i papunë. Sipas banorëve të Selcës , si viktima ashtu dhe autori nuk kanë qenë djem problematikë e shqetësues dhe nuk dihet të kenë patur ndonj konflikt mes tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›