E Diel, 1 Nëntor 2026

KE zgjedh Biberaj për të zbardhur krimet në Ukrahinë

Komiteti Politik i Këshillit të Europës ka miratuar propozimin e Grupit Parlamentar të PPE-së në KE, që deputeti i Partisë Demokratike Aleksandër Biberaj, njëkohësisht kryetari i Delegacionit Shqiptar në Asamblenë Paralamentare të KE-së dhe zv. President i kësaj asambleje, të jetë përfaqësues i KE-së për të zbardhur se çfarë ka ndodhur realisht në Ukrahinë dhe në ish-republikat e tjera të Bashkimit Sovjetik, gjatë viteve 1932-1933. Në këto vite, regjimi i Stalinit po aplikonte me dhunë politikat çnjerëzore të shpronësimeve dhe të kolektivizimeve masive. Vendi u përball gjatë kësaj kohe me një terror politik të jashtëzakonshëm, që në histori njihet si "terrori masiv i urisë", me pasojë vdekjen e miliona njerëzve në Ukrainë, si dhe në ish-republikat e tjera të Bashkimit Sovjetik. Në janar të këtij viti, nga 59 deputetë të Asamblesë Parlamentare të KE-së u paraqit kërkesa për raport dhe rezolutë mbi "Domosdoshmërinë e dënimit ndërkombëtar të Holodomor (vdekje nga uria) në Ukrainë gjatë viteve 1932-1933". Ndërsa në mars, një kërkesë tjetër u paraqit nga 10 deputetë të Asamblesë për raport dhe rezolutë mbi "75-vjetorin e urisë masive në territorin e ish-Bashkimit Sovjetik". Komiteti Politik vendosi bashkimin e këtyre dy kërkesave në një raport, titullin e të cilit do t'a propozojë zoti Biberaj dhe do t'a miratojë mbledhja e radhës e Komitetit Politik (5 shtator 2008, Paris ). Ky raport do të jetë një ndër raportet më të rëndësishme të Këshillit të Europës gjatë periudhës në vazhdim. Ai konsiderohet si vazhdimësi e raportit, që KE-ja miratoi në muajin janar të vitit 2006, "Për domosdoshmërinë e dënimit të krimeve të regjimeve totalitare komuniste", i përgatitur në atë kohë nga deputeti suedez zoti Goran Lindlad, aktualisht kryetar i Komitetit Politik të KE-së. Sipas rregullores së KE-së, zoti Biberaj do të hartojë raportin me rezolutën dhe rekomandimet përkatëse, të cilat do t'i paraqiten pastaj për debat dhe miratim Komitetit Politik dhe Asamblesë Parlamentare të KE-së. Kjo është hera e parë që një deputet i Parlamentit shqiptar zgjidhet si përfaqësues i KE-së për të përgatitur një raport, bashkë me rezolutën dhe rekomandimet përkatëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›