Vriten 40 palestinezë, mes viktimave, gra e fëmijë
Janë të paktën 40 palestinezët e vrarë nga ushtarët izraelitë në orët e fundit të përleshjeve në Rripin e Gazës. Sipas burimeve mjekësore palestineze, mes viktimave ka edhe shumë civilë, tre fëmijë dhe tri gra. Ndërsa të plagosurit janë rreth 100. Operacionet e përsëritura të forcave izraelite janë përqendruar në disa pika përreth Gazës. Tensioni është i lartë, ndërsa të vdekurit vetëm në katër ditët e fundit kanë shkuar në 80. Bëhet fjalë për bilancin më të rëndë që nga kohët e tërheqjes izraelite nga Rripi i Gazës, në verën e vitit 2005. Izraeli, deri më tani ka folur për pesë ushtarë të plagosur, asnjë prej të cilëve në rrezik për jetën dhe dy civilë të lënduar lehtë. Sipas disa burimeve, janë vrarë në Gaza edhe dy ushtarë, por për këtë nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.