E Diel, 1 Nëntor 2026

Më ruaj mua një vals

Asaj i pëlqente dimri, kohët kur mund të endej rrugëve të ngushta të Parisit dhe të ndiente zhurmën e lehtë të shiut. Ose të futej diku në ato baret ku mbrëmjeve ulej gjithnjë Scott për ta shoqëruar duke pirë verë deri në orët e vona. Më pas të dy, ashtu të dehur mund të shëtisnin pafund. Mëngjesi mund t‘i gjente të shtrirë në oborrin e shtëpisë, apo mbi tryezën e një tjetër bari. Kjo ishte Zelda Sayre, gruaja e mbushur me ëndrra që në dimrin e vitin 1932 orvatej e vetme mes dëshirës për të shpëtuar dhe frikës se nuk do të kthehej më në këtë botë. "Ëndrrat e morën me vete Zeldën", do të shprehej Scott sa herë ngjiste shkallët e spitalit "Johns Hopkins" për ta parë atë. Ai zgjidhte gjithnjë ditët me shi. Ato ditë e kthenin atë në Zeldën e dikurshme. Dhe pse vështrimi i saj mund të ishte i shpërqendruar, ai mund t‘i fliste pafund për gjërat që ajo kishte aq qejf të bisedonte dikur. Do t‘i thoshte se kishte takuar sërish Hemingway, dhe se e kishte pyetur për të. Ose do t‘i tregonte se mbrëmjet pa të në atë shtëpi të madhe janë një ferr i vërtetë. "Kthehu Zeldë, bota e ëndrrave nuk mund të marrë përgjithnjë". Por gruaja thjesht dëgjonte. Prej kohësh ajo e shihte shiun thjesht si një gjendje, pa mundur të futej më brenda tij si dikur. Scott Fitzgerald, një nga autorët më të njohur të letrave, do ta vuante deri në ditët e fundit të jetës ikjen e Zeldës. Ai u njoh me vajzën me sytë thellësisht të zinj në vitin 1918, kur së bashku ndanin pasionin për të shkruar. Zelda, një balerinë e njohur e kohës, përtej talentit për të pikturuar, dëshironte të ishte një shkrimtare. Në ato vite Scott kishte botuar tregimet e para. Në duar kishte dhe romanin "romantiku egoist". Një libër disi autobiografik, pasi personazhi kryesor ngjason aq shumë me shkrimtarin. Amory Blaine (personazhi) kishte studiuar në Princeton dhe gjatë Luftës së Parë Botërore ai i lë në gjysmë studimet dhe kërkon të shkojë në Francë. Në fund të rrugëtimit të tij për të gjetur të vërtetën, ai kupton se nuk ka qenë asnjëherë i lumtur, pasi brenda tij fshihet egoizmi. A është Amoru Blaine Fitzgerald? Vetë shkrimtari e ka pohuar këtë. Por le të kthehemi te Zelda, një nga gratë që ka ndikuar aq shumë në rritjen e tij si shkrimtar. Jeta mes çiftit që besonte te liria dhe i kishin dhënë të gjithë suportin e duhur njëri-tjetrit do të kalonte një periudhë të bukur vetëm në vitet e para, më pas sëmundja e Zeldës do të ndryshonte gjithçka. As vajza e tyre e vetme nuk do të mund të kthente "forcën e humbur brenda vetes" të Zeldës. Në vitin 1928 ajo vendos se do të bëhet një balerinë e famshme, dhe njëkohësisht me këtë pasion ajo jep dhe mësime danci në Paris. Në moshën 27-vjeçare, shëndeti i saj sa vjen e bëhet më i dobët dhe mjekët e diagnostikojnë me sëmundjen e skizofrenisë dhe gjithë pjesën tjetër të jetës së saj do ta kalonte në spital. Kjo është "thyerja" më e madhe që do të behej në jetën e Scott, pranimi i faktit që gruaja me të cilën kishte ndarë pasionet dhe të ardhmen nuk do të ishte më pjesë e realitetit të tij. Kritikët mendojnë se "sëmundja e Zeldës, solli një ngritje në letërsinë e Scott". Por nëse u referohemi kujtimeve të Scott asnjë grua tjetër më pas nuk do t‘i jepte ato çfarë ajo i fali atij. Kështu, spitali "Johns Hopkins" ishte vendi ku mund ta gjeje në çdo stinë Scott Fitzgerald. Por ai asnjëherë nuk mundi të gjente Zeldën që kërkonte, pasi gruaja tashmë ishte një tjetër njeri. Në kohët kur sëmundja vinte e bëhej më e lehtë, Zelda nis të shkruajë një sërë novelash, të cilat Scott i përmblodhi në librin "Më ruaj mua një vals". Ky është libri i vetëm i shkruar nga Zelda, por para sëmundjes Zelda dhe pikturonte. Gjyshja e saj, Eleanor Lanahan, thotë se piktura ka qenë pjesë e së mbesës që në fëmijëri. Asaj i pëlqente të pikturonte pjesë të së shkuarës, të bënte portrete të të shoqit dhe të njerëzve të afërm. Një pjesë e pikturave të saj e kanë moton nga Lufta e Parë Botërore. Kjo grua fati i së cilës është kaq tragjik, është motoja e gjithë letërsisë së Scott Fitzgerald. Të gjitha pasazhet për shëtitjet natën që gjenden në veprat e tij kanë në thelb orët me Zeldën. Pas kësaj humbjeje, Scott do t‘i kthehej më shpesh alkoolit. "Asgjë nuk mund ta kthente më Scott nga dëshpërimi". Vajza që i ndenji afër vitet e fundit të jetës (sekretarja) tregon se Scott nuk dashuroi më kurrë. "Ai nuk e hoqi asnjëherë nga jeta Zeldën, ndonjëherë e gjeja të bisedonte vetëm në dhomë. E dija që ai ishte duke biseduar me Zeldën. Në atë shtëpi të madhe ku Scott ndau vitet e fundit të jetës ai jetoi përgjithnjë me të. Aq sa ndonjëherë më dukej se Zelda ishte me ne dhe na shihte kur unë radhisja librat e tij", tregonte ajo. Me një jetë të trazuar, një nga ikonat e letërsisë besoi gjithnjë se vetëm e shkruara mund t‘i jepte atë çfarë kërkonte. Ai e vazhdoi këtë ritual përgjithnjë dhe e ndiente se "as libri më i bukur nuk mund t‘i kthente Zeldën" .F. Scott Fitzgerald lindi në ST Paul, në Minnesota. Ai përdori tre pseudonime përpara se të botonte novelën e parë. I biri i një biznesmeni të mesëm dhe e një gruaje që iu përkushtua tërësisht të birit, gjatë rritjes së tij, fëmijëria e burrit që besoi gjithë jetën te liria, ishte tejet e shpenguar. Në moshën 18-vjeçare Fitzgerald ra për herë të parë në dashuri me një vajzë 16-vjeçare Ginevra King, të cilën e shndërroi më pas në personazhin e Daisy Buchanan. Kur hyri në Universitetin e Princetonit është e tij ishte të bëhej një hero futbolli. Dyert e botimeve do ti happen menjëherë pas publikimit të novelave të para, ku spikaste një mënyrë tjetër të shkruari. Shumë shpejt, jeta e Fitzgerald do të ndryshonte, pasi paratë ishin një mënyrë për të bërë një jetë vërtet të lirë. Miqtë e tij më të mirë ishin Xhojsi, Hemingway apo Gertrude Stein. Kur Scott takohet me Xhojsin në Paris, pak kohë pasi Zelda ishte shtruar në spital, Xhojs shprehet se "Ky burrë i ri duket i lënduar. Kam frikë se diçka është thyer përgjithmonë tek ai". Ndjesitë e para të këtij lëndimi ai do t‘i përcjellë te romani "E bukura dhe e mallkuara". Në këtë libër ai flet për jetën e Anthony Patch, një njeri inteligjent, i ndjeshëm, por i dobët. Ai shpenzoi gjithë paratë që ia kishte lënë gjyshi duke pirë bareve. Në fund të novelës ai humb dhe gruan Gloria, të cilën gjithnjë e shihte si qenien më të bukur në botë. Për ata që e njihnin nga afër Scott, ky roman ishte jeta e tij. Në vitin 1927, Fitzgerald punon në Hollivud si skenarist. Aty jeton një histori të shkurtër dashurie me gazetaren Sheilah Graham, lidhje të cilën ai e quan të dështuar për shkak të "Zeldës". Kjo grua qe gjithnjë pranë tij dhe bashkë me fatin e saj të trishtë e bëri të mos e takonte më asnjëherë të bukurën dhe të mos besonte tek ajo dhe atëherë kur e gjente. Fitzgerald vdiq në moshën 44-vjeçare nga një atak në zemër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›