Vullnetarët pastrojnë 3 hektarë tokë në Parkun Kombëtar të Lurës

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Një mjedis i pastër është hapi më i rëndësishëm drejt një shëndeti më të mirë për të gjithë.
Korpusi i Vullnetarëve të Mjedisit, me mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSh) u ndalën kësaj radhe në Parkun Kombëtar të Lurës, në Dibër.
Sipas njoftimit të OSSh, rreth 50 vullnetarë punuan në një nga zonat e këtij parku duke pastruar mjedisin dhe duke sensibilizuar publikun dhe pushtetin vendor për rëndësinë e mbajtjes pastër të zonave natyrore.
Një pjesë e vullnetarëve udhëtuan nga Tirana ndërsa pjesa tjetër ishin të rinj lokalë që u përfshinë në këtë aktivitet.
Në njoftim thuhet se një sipërfaqe prej 3 hektarësh u pastrua nga vullnetarët, të cilëve iu bashkuan edhe sipërmarrës vendas që ushtrojnë aktivitet ekonomik në fushën e turizmit.
Aktiviteti i vullnetarëve u gërshetua edhe me një trajnim praktik nga drejtoria e shërbimit zjarrfikës e bashkisë Dibër.
Specialistët u treguan të rinjve se si të përdorin fikësit e dorës të zjarrit si dhe demonstruan për ta veprime konkrete të operimit në një situatë reale zjarri në park.
Ky aktivitet u zhvillua nga organizata Forumi i Mendimit të Lirë, me mbështetjen e OSSH-së, në kuadër të projektit “Vullnetarizmi si mjet për pastrimin e mjedisit dhe sensibilizimin e shoqërisë”.
/e.i/j.p/