Bici: Gabimet e ministrisë ndaj FSHF-së
Tek e shikon të përkulur mbi tavolinën e tij të punës, me një fytyrë të qetë e mikpritëse, asnjëherë nuk të shkon mendja se ai është nr. 2 i një institucioni, që për momentin është më i sulmuari nga strukturat shtetërore shqiptare. Sekretarin e Përgjithshëm të FSHF-së, Arben Bici, njeriun që drejton ekzekutivin e këtij institucioni, e gjen në çdo çast në zyrën e tij, pranë kompjuterit dhe telefonit, duke dhënë urdhra apo duke u konsultuar, duke sqaruar apo duke komunikuar në anglisht. Kjo vazhdon gjatë, shpesh deri në orët e vona të mbrëmjes, për të rifilluar me një njëjtin intensitet të nesërmen. I qetë deri në lodhje, ai heziton që të flasë menjëherë, duke sqaruar se është vetëm çështje e mungesës së kohës, por më pas pranon të japë këtë intervistë për gazetën "Shqip". Në fund të fundit, 60 minuta më tepër në ditën e tij të stërgjatë dhe shumorëshe nuk është ndonjë "sakrificë e madhe". Ja intervista e tij:
UEFA dhe FIFA kanë dërguar një faks ku paralajmërojnë masa të rënda ndaj Shqipërisë. A është reale mundësia e përjashtimit pas datës 21 shkurt dhe cilat aktivitete rrezikojnë më shumë?
Nëse e lexojmë me kujdes këtë letër, do të kuptohet se ndërmjet MTKRS-së dhe dy organizmave më të rëndësishëm të futbollit botëror, UEFA dhe FIFA, është bërë një marrëveshje në lidhje me disa çështje, të cilat lindën që në konfliktin e parë midis ministrisë dhe FSHF-së në vitet 2005-2006. Për këto konflikte, ndërkombëtarët prisnin një reagim pozitiv nga MTKRS për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë këto mosmarrëveshje. Sipas letrës, kjo gjë nuk është bërë, por përkundrazi tani jemi përsëri në pikën ku konflikti nisi dy vite më parë. Pezullimi ose përjashtimi i një federate futbolli nga radhët e këtyre dy organizmave së pari nuk do t‘i pëlqente aspak askujt dhe për më shumë as edhe FIFA-s dhe UEFA-s, të cilat paralajmërojnë që do të marrin këtë vendim. Ideja e përjashtimit, ose mosbashkëpunimit, asnjëherë nuk sjell ndonjë gjë pozitive, përkundrazi të lë në stanjacion dhe të çon në regres. Impaktet që sjell një përjashtim dëmtojnë imazhin e vetë lojës së futbollit. Do të ketë një kosto të madhe ekonomike në dëm të zhvillimit të futbollit për klubet e futbollit dhe gjithë ata që përfaqësojnë grupet e interesit të këtij sporti. Futbolli vlerësohet si një nga 10 industritë më të mëdha që ndikon në zhvillimin e shoqërisë dhe për këtë arsye ai kërkon përkujdesjen e të gjithëve.
Ministria këmbëngul se gjithçka është konform ligjit, megjithëse UEFA e ka bërë të qartë se nuk lejon auditimin e fondeve të saj. Si mund të zgjidhet kjo situatë?
FSHF prej më se dy vitesh ka angazhuar një studio ligjore, e cila i jep konsultën e saj në lidhje me të gjitha çështjet që kërkojnë një interpretim ligjor. Për rastin në fjalë, sipas ekspertëve të kësaj studioje, ligji "Për auditimin e brendshëm në sektorin publik" ka hyrë në fuqi në datë 09.08.2007, por edhe ky ligj i cili e përcakton rrethin e subjekteve që i nënshtrohen auditimit të brendshëm në nenin 2 të tij nuk e përfshin FSHF-në. Paragrafi i dytë i këtij ligji, të cilin e referojnë edhe të dyja ministritë, shprehet: "Fusha e zbatimit të këtij ligji përfshin të gjitha institucionet e qeverisjes qendrore, organet e pushtetit vendor, institucionet e tjera qendrore dhe vendore, që kryejnë funksione publike, institucionet e pavarura e shoqëritë tregtare, apo të çdo forme tjetër, përfshirë ato financiare, ku kapitali shtetëror është mbi 50%". Të gjithë duhet të kuptojnë se FSHF është një subjekt i së drejtës private, "një shoqatë e krijuar si bashkim i vullneteve të anëtarëve të saj, dhe jo në saj të shprehjes së vullnetit të ndonjë subjekti publik". Sipas këtij ligji, veprimtaria e auditimit kryhet dhe kontrollohet nga Ministria e Financave, Komiteti i Auditimit të Brendshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit dhe njësitë e brendshme të auditimit, pranë subjekteve të audituara, sipas përcaktimit të bërë në nenin 2 të ligjit. Në këto kushte, ekspertët ligjorë shprehen se konstatojnë mungesën e qartë të kompetencës nga ana e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për të urdhëruar këtë auditim. Po ashtu, në kuptim të nenit 2, paragrafi 2 i këtij ligji, konstatojmë se edhe nga ana e ministrit të Financave, ky urdhër është nxjerrë jashtë kompetencave, pasi FSHF, si një subjekt privat, nuk bën pjesë në rrethin e subjekteve të sektorit publik të treguara në nenin 2/2.
Sulmi shtetëror ndaj FSHF-së ka filluar dy vite më parë. Cilat janë të përbashkëtat e këtyre grupeve të kontrollit në vite?
Mendoj se është i njëjti gabim që e shpjegova më lart.
A ekziston mundësia që çështja të përfundojë përsëri në dyert e gjykatave si dy vite më parë, duke rrezikuar zvarritjen e saj?
Shpresoj që jo, sepse siç e thashë dhe më lart, mosbashkëpunimi të çon në kahe të kundërta të zhvillimit.
Pala shtetërore ngulmon në arsyetimin se po shpenzon për futbollin shqiptar. Si është raporti shpenzim-përfitim i shtetit shqiptar nga futbolli? Kujt i kalohet pjesa nga granti shtetëror dhe a merr shteti shqiptar të ardhura nga FSHF?
FSHF paguan të gjitha detyrimet e saj ndaj shtetit, si tatime, taksa apo detyrime doganore. Pra, gjithçka që lind nga legjislacioni shqiptar. Sa është fondi që shteti shpenzon për futbollin shqiptar? Është më mirë që këtë pyetje t‘ia bëni sektorit përkatës në MTKRS.
Dy muaj më parë janë miratuar disa ndryshime në "Ligjin për Sportin", sidomos në pjesën që i përket futbollit. A është marrë mendimi i FSHF-së në hartimin e këtyre ndryshimeve, duke qenë se ajo mund të konsiderohet si "grup interesi"?
Jo. FSHF nuk është thirrur në grupin parlamentar të ligjeve dhe nuk është diskutuar asnjëherë me të. FSHF, në momentin që u informua në rrugë jozyrtare se ligjit të ri për sportin do t‘i bëheshin disa ndryshime, i ka dërguar objeksionet e veta, mbasi ka marrë edhe konsulencën juridike të ekspertëve të saj, duke i dërguar një letër znj. Valentina Leskaj në Parlamentin shqiptar. Më pas, FIFA dhe UEFA, mbasi janë njohur me shpjegimet e ekspertëve juridikë të FSHF-së në lidhje me objeksionet, përse disa nga këto ndryshime nuk duhet të miratoheshin, i kanë dërguar një letër MTKRS-së në datën 31 tetor 2007, ku shprehet së pari se ata janë të zhgënjyer për rrugën e bashkëpunimit me FSHF-në, e cila nuk është ajo që u premtua në takimin e qershorit 2007 midis MTKRS-së, FIFA-s dhe UEFA-s.
Përfaqësues të shtetit shqiptar kanë deklaruar se Kombëtarja shqiptare ka shitur ndeshjet e fundit eliminatore të EURO 2008. Sa kanë ndikuar në imazhin e Shqipërisë të tilla deklarata?
Vetëm të mendosh se çfarë pasoje sjell në tërë jetën e një njeriu nëse do të merrte një vendim të tillë, mendoj se është e vështirë që dikush të mendojë të shesë simbolet e kombit të vet. Të vetënjollosesh nuk diskutohet që nuk i shërben krijimit të një imazhi pozitiv të vendit tënd dhe besoj se nuk do të ndihmojë krijimin e një klime favorizuese për të promovuar futbollin si një lojë e cila ka vlera edukuese.
A mund të etiketohen përfundimisht si "politike" sulmet e vazhdueshme ndaj FSHF-së në këto vitet e fundit?
Sinqerisht, do të dëshiroja që të gjithë të interesuarit për të zhvilluar lojën e futbollit të bashkëpunonin, mbasi është e vetmja rrugë që të çon drejt rezultateve pozitive për të cilat të gjithë jemi të interesuar. Në fund të fundit, do të krijonte imazhin pozitiv, të cilin e duam të gjithë.