Zbulimi i një varri antik zgjoi ëndrrat për ar në Bulqizë
Zbulimi i një varri antik gjatë punimeve për Rrugën e Arbrit ka zgjuar "ethet e arit" te banorët e një zone në veri të vendit, të cilët thuajse e shkatërruan varrin e sapozbuluar. Situata e krijuar një javë më parë në fshatin Sofraçan të Bulqizës, bëri që policia të merrte përsipër mbrojtjen e këtij varri, i cili mund të shkatërrohej ose vidhej, duke sjellë kështu zhdukjen e disa vlerave kombëtare. E gjithë kjo ka filluar para pak ditësh. Një firmë ndërtimi, e cila ka fituar tenderin për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, po punonte në zonën e fshatit Sofraçan. Makineritë, duke gërmuar për shtrimin e rrugës, kanë pikasur disa pllaka varri, që punëtorët e i kanë larguar tutje, për të parë se çfarë kishte brenda tyre. Pikërisht në atë vend, një nga punëtorët e firmës ka gjetur dy përkrenare bronzi, të mbajtura në kushte mjaft të mira. Fillimisht, pas heqjes së pllakës, punëtorët kanë gjetur një përkrenare, të cilën e ka marrë një punëtor krahu, që quhej Florenc Hatija. Më vonë aty janë afruar edhe punëtorët e tjerë, të cilët kanë nisur të gërmojnë në varrin arkeologjik. Një tjetër punëtor, Ruzhdi Bitri, ka gjetur një tjetër përkrenare, duke e mbajtur nën kujdes, pasi sipas tij, ajo përbën një vlerë kombëtare. Por, e gjithë kjo histori ka sjellë interes te të gjithë punëtorët, të cilët kanë filluar të gërmojnë me shpresën se brenda do të gjenin flori. Madje, një fjalë e tillë është përhapur edhe në fshat, ku banorët kanë dëgjuar se aty ka qypa me flori që kanë mbetur që në kohën e ilirëve. Kaq është dashur që ata të tentojnë të hyjnë në zonën e zbuluar dhe të kontrollojnë për floririn e ëndërruar. Megjithatë, ata nuk ishin të vetmit që kanë shfaqur interes për varrin arkeologjik. Interesi është rritur edhe te punëtorët, ku njëri prej tyre është larguar natën bashkë me përkrenaren. Ai nuk ka pranuar ta dorëzojë, duke pretenduar se ajo ishte vetëm një teneqe për t‘u hedhur. Ndërsa banorët që të nesërmen janë sulur duke kërkuar gjëra me vlerë dhe duke dëmtuar rëndë varrin antik. Kjo situatë kritike ka alarmuar edhe arkeologët, ku sipas të dhënave kanë kërkuar ndihmën e policisë, e cila e mori varrin në mbrojtje. Megjithatë, ende nuk dihet nëse janë shpëtuar gjithë sendet me vlerë të këtij varri, apo janë bërë objekt vjedhjeje. Autoritetet policore kanë ngritur dyshimet se bashkë me përkrenaret mund të ketë pasur edhe shtiza luftëtarësh, që nuk duhet ku kanë përfunduar.