Taksa për banesën, reagojnë ndërtuesit: është e padrejtë
Shoqata e Ndërtuesve të Fierit kundërshton çmimin e referencës që qeveria ka vendosur për ndërtimet. Të mbledhur dje në aktivin e tyre të përvitshëm, anëtarët e Shoqatës së Ndërtuesve kanë ngritur si shqetësime kryesore, mungesën e bashkëpunimit me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive, me administratën e Tatim-Taksave, si dhe me organet e pushtetit vendor. Me këto tri pengesa serioze, si dhe me vendimin më të fundit të qeverisë për përcaktimin e çmimeve, ndërtuesit argumentojnë edhe rënien drastike që ka pësuar ky sektor gjatë vitit të fundit. Ndërtuesit treguan dje se qeveria nuk ka marrë parasysh asnjë nga kërkesat e tyre, kur ka bërë përcaktimin e çmimit të pasurive të paluajtshme në zona të ndryshme të vendit. "Askush nuk ka të drejtë të më detyrojë mua ta shes me 61 mijë lekë metrin katror të një objekti, vetëm sepse ndodhet në atë zonë që qeveria e konsideron si qendra e Fierit. Çmimin e përcakton tregu", tha një ndërtues. Shkëlqim Bumçi, sekretar i Shoqatës Kombëtare të Ndërtuesve të Shqipërisë, i pranishëm në këtë takim në Fier, tha se viti 2007 për të gjithë ndërtuesit në shkallë vendi ka shënuar një rënie të investimeve private deri në 19 për qind. "Investimet private kanë rënë në masën 19 për qind. Edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë e pranoi një fakt të tillë. Së bashku me investimet për më shumë se një vit të gjithë ndërtuesit e Fierit dhe vendit nuk kanë marrë leje ndërtimi si shkak i moskonstituimit të Këshillave të Rregullimit të Territorit", sqaroi Bumçi. Disfavoret e ndërtuesve të Fierit gjatë vitit të shkuar kanë qenë disa, por më kryesorja ka qenë mosmbledhja dhe moskonstituimi i KRRT-ve në njësitë vendore. Gjatë diskutimeve në mbledhjen e djeshme, ndërtuesit e Fierit kanë akuzuar strukturat e pushtetit vendor në shkallë qarku dhe më aq më tepër Bashkinë e Fierit, pasi sipas tyre, këto njësi vendore nuk i kanë njohur firmat e ndërtimit si partnere në projektet dhe investimet e tyre. Por, ndërtuesit e Fierit kanë shprehur fare hapur mosmarrëveshjet e tyre me institucione të tilla si zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme apo dhe dega e tatim-taksave. "Pothuaj të gjithë ndërtuesit e Fierit i kanë pallatet të pahipotekuar, duke sjellë kështu një problem social mjaft të madh për blerësit tanë. E në këtë rast është zyra e Hipotekës apo dhe ajo e tatimeve, që zvarrit e pengon këtë proces", tha ndërtuesi Alfred Gjini. Ndërkohë, ndërtuesit kanë shfaqur rezerva edhe ndaj planit rregullues të qytetit të Fierit. Ata kanë pohuar se pas miratimit në KRRTRSH të planit rregullues, prej pushtetit vendor nuk është ndërmarrë asnjë takim për të kryer detajimin e tij. Jani Kola, një prej ndërtuesve ka hedhur akuza të forta ndaj bashkive dhe komunave të qarkut, duke thënë se ato favorizojnë firma "fantazma" prej të cilave përfitojnë edhe pjesën e tyre. Dega e Shoqatës së Ndërtuesve në Fier numëron mbi 30 anëtarë, ndërkohë që në shkallë rrethi regjistrohen më shumë se 120 firma ndërtimi.