Nënshkruan pasaportën e tjetrit, ndiqet penalisht
Vlorë- Ka nënshkruar në emër të një personi tjetër dhe kaq ka mjaftuar që ndaj tij të fillojë procedimi penal. Një 20-vjecar nga Karbunara, ka marrë përsipër t’i nxjerrë pasaportën një personi tjetër me të cilin kishte lidhje familjare, por duket se kjo nuk ka kaluar pa u vënë re.
Sipas policisë, 20-vjeçari Dushaj është paraqitur pranë zyrës së pasaportave në drejtorinë e policisë së Vlorës për aplikimin e një pasaporte. Në zyrën e pranimit, i riu është pyetur nëse dokumentet i përkisnin atij, pasi punonjësit e policisë kanë dyshuar te fotografia.
I riu ka pretenduar se ishte vetë personi dhe ka nënshkruar dokumentet, të cilat realisht i përkisnin një shtetasi tjetër. Ekspertët kanë kryer verifikimet për të faktuar dyshimet. Ndaj 20-vjeçarit Dushaj, lindur e banues në Karbunarë, filloi procedimi penal për veprën penale të falsifikimit të vulave, stampave e formularëve, vepër për të cilën i riu do të ndiqet në gjendje të lirë.