E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti i ri, mund të festosh duke lexuar

Ideja që kur vjen viti i ri, me patjetër duhet të shqepemi duke ngrënë, është e trashëguar që nga periudha e jetës me talona, ku vërtet me ardhjen e festës tradicionale, të jepej shansi për pak komoditet në përjetimet gastronomike. Ndërsa tani që sfida e të ngrënit është kapërcyer e ku ditët e pushimit janë sfidë për mënyrën se si do të kalohen, leximi i një libri nuk do ishte keq. Kush ankohet se nuk ka kohë për të lexuar qoftë dhe 10 faqe, apo që nuk ka para për të blerë një libër, këto ditë e ka një shans t‘i rikthehet kënaqësisë së humbur (nëse e ka pasur dikur), apo përjetimit të një kënaqësie të tillë. Pikërisht këtë ka menduar shoqata "Aleanca për librin", duke hapur dje një panair në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Janë 20 shtëpi botuese që paraqiten në këtë panair, që do të zgjasë katër ditë dhe janë të mirëpritura dhe shtëpi të tjera edhe pse nuk aderojnë në shoqatën "Aleanca për librin", shprehen organizatorët e njëherësh botuesit, Ndriçim Kulla e Vladimir Zoto. Me këtë panair sipas tyre, është gjetur një mënyrë për t‘i uruar njerëzit "gëzuar Vitin e Ri". Pra, "gëzuar" me një libër". 30 për qind ulje çmimi do të ketë për të gjithë librat në këtë panair dhe ky është vërtet rasti për një përjetim intelektual të veçantë në ritin e ndërrimit të viteve. Sepse përveçse do të merret në dorë një apo më shumë libra, është menduar që dhe edhe ekonomikisht, kjo mos të jetë shumë "vrasëse" për xhepat e atyre që krahas blerjeve gastronomie, do të bëjnë dhe ndonjë shopin intelektual. Rastin më të mirë e kanë në panairin e librit të hapur që dje në Muzeun Historik Kombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›