E Diel, 1 Nëntor 2026

Zoti më shpëtoi dhe tani lutem për veten dhe Amy Winehouse

Shpëtimi i shpirtit të Mary J. Blige kalon përmes disa koncepteve të thjeshta, të cilat mësohen gjatë orës së besimit, por që më vonë harrohen shumë lehtë, para se të praktikohen në jetë, siç bëjnë edhe kafshët e cirkut kur mësohen në rrathët e zjarrit.

"E kuptova 5 vite më parë, kur besoja se nuk do arrija t‘i mbijetoja më depresionit ku kisha qenë e "burgosur" për gjithë jetën", tregon ajo. Fytyra e saj ka marrë një pamje tjetër, është më e dashur, më e qetë dhe buzëqesh çdo çast. Më pas shton: "Kuptova se Jezu Krishti u sakrifikua për mua me qëllim që unë të mos e shkelja më ferrin e kësaj toke". Ashtu si shumë artistë të tjerë, edhe Mary-t i është dashur shumë kohë për të "rilindur".

Tridhjeteshtatëvjeçarja nga Bronksi është ikona e homoseksualëve dhe "kafsha" perfekte për të kënduar një duet muzikor (një prej tyre ka qenë edhe kënga "One", kënduar me liderin e grupit U2 dhe regjistruar me George Michael. Ka qenë dhe do të mbetet një nga sukseset më të mëdha radiofonike). Me ekzistencën e saj të bërë nga droga, alkooli, kolapset nervore dhe marrëdhëniet e shkatërruara të dashurisë, Mary J. inauguroi kortezhin e gjatë të fjalëve të muzikës "black", mbi të cilën nisi të hidhte hapat e para edhe Lil‘ Kim, një nga këngëtaret më rebele të kësaj rryme muzikore.

Por, shthurja si njeri sigurisht nuk është pjesa më e rëndësishme e jetës së saj: në kërkim të një mënyre për të rregulluar imazhin e një vajze rruge me zërin e saj të fuqishëm, Mary u bë pak nga pak mbretëresha e muzikës hip-hop soul, ku tashmë nuk mund ta konkurrojë më njeri. Ndoshta për këdo që ka apo ka pasur probleme, sot Mary është një pikë referimi. "Çdo këngë e imja ka qenë një kërkim ndihme i dëshpëruar, të cilës askush nuk i është përgjigjur. Tani e kam kuptuar se cili është misioni im i vërtetë: dua të jem frymëzimi për gratë në vështirësi, me qëllim që ato të arrijnë të gjejnë forcë në vetvete për t‘u bërë njerëz më të mirë", vazhdon më tej ajo.

Me këtë qëllim në kokë, Mary ka filluar të japë intervista pafund në revistat për femra dhe të marrë pjesë në dhjetëra emisione televizive "talk show", ku adhuron të tregojë të gjithë historinë e jetës së saj dhe se sa shumë beson te mrekullitë. Për shembull, është e bindur se ishte Zoti ai që e dërgoi Kendu Isaacs, bashkëshortin e saj aktual, i cili është edhe menaxher. Apo se ishte ndërhyrja e perëndisë që disku i parafundit, "Breakthrough", të merrte tri çmime "Grammy" në vitin 2007.

"Edhe unë vetë jam një mrekulli", thotë e bindur. Më pas vazhdon: "Madje edhe disku i fundit është". Insiston duke treguar kopertinën e albumit të shtatë, "Growing pains". Mary është një nga artistet e pakta të afta që ka arritur të shkundë industrinë diskografike e të shesë miliona kopje albumesh. Po, kjo është vërtet një mrekulli.

Kohët e fundit është shfaqur në ekranin e "Mtv"-së për t‘i bërë një apel Jamie Lynn Spears, motrës së vogël të Britney-t, e cila është vetëm 16 vjeçe, ka mbetur shtatzënë dhe kërkon të heqë fëmijën. "Dua t‘i them që nuk është vetëm dhe nuk paragjykohet nga askush. E ndiej t‘i them edhe diçka të thjeshtë: Ndryshoje jetën tënde zemër, në mënyrë që fëmija yt mund të të shikojë ty si një shembull. Të qenit nënë nuk është gjë tjetër veçse kjo".

Në fakt të gjithë kanë mbetur pa fjalë nga ky mesazh, pasi Mary nuk ka qenë kurrë nënë, por që prej pak kohësh ka marrë në shtëpi fëmijët e burrit. "Nuk e kam besuar kurrë që do të isha në gjendje të rrisja e të edukoja fëmijë. Jam habitur vërtet me veten".

Ndryshimi i menjëhershëm i shumë admiruesve, të cilët e preferonin më shumë në versionin e saj të shkatërruar, në kohët kur jetonte e "gozhduar" si skllave nën dhunën e ish të fejuarit, këngëtarit të muzikës "soul", K-Ci Hailey, duket se nuk e shqetëson më. "Kam humbur më shumë se një milion fansa për shkak të zgjedhjeve të mia, por kjo nuk ka shumë rëndësi. Dua të rritem, nuk mund të jetoj ‘e burgosur‘ në imazhin që të tjerët kanë për mua".

Pjesa më e madhe e 17 këngëve të albumit "Growing pains" janë himne për rigjetjen e lumturisë: "Just fine", "Work that", "Grown woman". Vetëm titulli i referohet ende dhimbjes: "Është një dhimbje ndryshe, shpjegon ajo, është dhimbja që provohet kur më në fund jemi të detyruar të rritemi".

Për të parën herë, në 17 këngët e albumit, muzika rep është lënë jashtë sfondit. "Në muzikën rep nuk ka më krijimtari dhe të gjithë përsërisin të njëjtat gjëra, pa fund. Artistë të vërtetë hip-hop, që janë të aftë të frymëzojnë një vajzë e cila është rritur rrugëve pa baba, siç më ka ndodhur mua, nuk ka më. Nga pjesët apo këngët që kam dëgjuar kohët e fundit, do të veçoja vetëm Lil‘Wayne, Jay Z. (reper, producent dhe i fejuari i këngëtares Beyoncé) e shumë pak të tjerë", thekson ajo.

Por njëkohësisht, me reperin Jay Z. krahason edhe një tjetër talent, i cili mendon se do të bëhet mbreti i popit "black". Bëhet fjalë për këngëtarin Usher, i cili këndon me të në "Shake down": "Mund të bëhet edhe më i madh se Michael Jackson", tregon Mary.

Më 10 shkurt do të zhvillohet ndarja e çmimeve "Grammy", që këtë vit feston edicioni e 50-të. Me këtë rast, Mary J. Blige është në konkurrencë për disa çmime me Amy Winehouse, protagonisten e kronikave rozë të muajve të fundit.

Sapo dëgjon emrin e saj, Mary J. merr menjëherë pamje serioze. Mesa duket i vjen ndër mend misioni i saj dhe lutet për të: "Ji e fortë Amy, unë do të lutem për ty! E di që je e lënduar dhe e kuptoj shumë mirë si ndihesh, sepse e kam kaluar vetë. Por ki parasysh se të lutesh është njësoj si të firmosh një çek: e depoziton dhe të paguhet. Lutju Zotit në emër të Jezu Krishtit, birit të tij, dhe errësira do të zhduket e do shohësh të realizohet një mrekulli".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›