E Diel, 1 Nëntor 2026

"Societe Generale", humbje edhe për Francën

Në një vend ku ulje-ngritjet e tregut kapitalist janë parë gjithmonë me dyshim, "Societe Generale" ishte një shembull i rrallë suksesi, pasi banka në fjalë konsiderohet si shtyllë e fuqishme e financës galeze. Ky institucion i fuqishëm ka aplikuar me sukses, që në fillimet e saj, disa nga instrumentet më të ndërlikuara të financës ndërkombëtare dhe vetë sistemit bankar, si dhe ka kryer operacione fitimprurëse që i dhanë statusin e një banke të fuqishme dhe të respektuar përkundër rivalëve të fuqishëm britanikë dhe amerikanë. Për këtë arsye, ajo çka ka ndodhur së fundmi me "ikjen" e një shume të konsiderueshme parash nga veprimi (të paktën nga sa dihet deri më tani) i një personi të vetëm, ka qenë një goditje tronditëse jo vetëm për bankën, por edhe për vetë krenarinë kombëtare të francezëve. Drejtuesit e lartë ekzekutivë të bankës nuk kanë për ta harruar kurrë çastin kur një javë më parë u grumbulluan në katin e shtatë të zyrave qendrore e ultramoderne të bankës, para një 31-vjeçari, i cili me veprimin e tij u tregoi se kishin ende shumë për të mësuar nga zanati në të cilin konsideroheshin ekspertë të pakrahasueshëm. Humbja është e përmasave gjigande: 7.2 miliardë dollarë. Tani, banka, por edhe mbarë bota e biznesit francez, është zhytur në një "pellg" turpi, pikërisht në momentin kur banka në fjalë po përgatitej të përjetonte një moment triumfi ndaj rivalëve anglo-saksonë që dominojnë botën e financave të paktën 300 vitet e fundit. Sipas vetë thënieve të ekzekutivëve të lartë të bankës, ajo çka ata po përjetojnë këto ditë "është ankthi më i madh që mund të përjetojnë bankierët". Pak rëndësi ka nëse veprimi i 31-vjeçarit, veç parave, ka marrë me vete edhe karrierën dhe fatin e shumë drejtuesve më në zë të bankës e vetë financave franceze. Banka franceze u themelua nga Napoleoni III dhe që nga ajo kohë ka njohur vetëm arritje, duke u konsideruar së bashku me banka të tjera anglo-saksone si kremi i kremit për sistemin bankar. Por ai çka pritet të jetë edhe dëmi më i madh i këtij skandali, i cili sipas shumë analistëve ka nxjerrë dukshëm vetëm majën e ajsbergut, janë dyshimet që do të ngjallë te francezi i zakonshëm, të cilit ditët e fundit me siguri që i është rikujtuar thënia e famshme e Balzakut: "Pas çdo pasurie të madh, fshihet një krim". Njerëzit pyesin se si është e mundur që një vjedhje kaq e madhe të mos jetë zbuluar menjëherë? "‘Societe Generale‘ është ndër bankat më të mëdha në botë dhe më të fuqishme, ndaj nuk mund të shpjegohet zvarritja në dhënien e lajmit e për më tepër deklarata se gjithçka është marrë vesh me vonesë", bën të ditur një analist francez ekonomie. Sipas tij, nuk mund të ndodhin kurrë vjedhje të përmasave të tilla në banka të konsoliduara. "Shumë-shumë, vjedhjet mund të ndodhin në bizneset e reja, por jo në institucionet financiare qindravjeçare", thotë ai. Nga ana e saj, banka vazhdon të mbrojë veten se i ka kryer më së miri kontrollet rutinë dhe se ekspertët ende nuk e kuptojnë se si ka ndodhur marrja e parave. "Societe Generale" tradicionalisht ka qenë më e fuqishme dhe më e pavarur se bankat dhe gjigandët e tjerë të industrisë franceze. Kur bankat franceze u privatizuan në vitet ‘80, "Societe Generale" ishte e para që doli nga kontrolli shtetëror në korrik të vitit 1987. Për të ishte shumë e lehtë dalja në sipërfaqe dhe madje edhe konkurrenca me rivalet anglo-saksone, pasi bankat e tjera të vendit të dala nga "gjumi" i gjatë pas dekadave të kontrollit shtetëror nuk kishin një performancë të mirë. Për më tepër, në krye të saj, erdhën persona ambiciozë dhe të aftë të cilët futën metodat e reja të transaksioneve financiare dhe menaxhimit të financave. Në gjirin e bankës u mblodhën kokat më të afta e më gjeniale të Francës, analistët matematikorë dhe ekonomistët më të aftë të diplomuar kryesisht në margaritarin e sistemit arsimor francez "Grandes Ecoles", shkolla prestigjioze dhe elitare franceze. Edhe rrogat në këtë bankë janë ndër më të lartat e sistemit bankar në botë. Më e vogla është 5 mijë euro. Si pasojë e performancës së saj "Societe Generale" në vitin 2006 pati një fitim prej 5.2 miliardë euro të ardhura neto. Njësia e saj koorporative dhe e investimeve kontribuoi në të ardhurat e bankës me 2.3 miliardë euro. Deri në momentin e lajmit të vjedhjes, aksionet e bankës kanë qenë ndër më të mëdhatë në të gjithë kontinentin, përfshi edhe ato të rivalëve të mëdhenj si "Deutsche Bank" apo "BNP Paribas". Pas "ndodhisë" të gjithë pyesnin veten se si do t‘i vejë halli gjigandit bankar? Një nga arsyet ngushëlluese për drejtuesit e saj është situata globale e sistemit bankar, pasi për një arsye apo për një tjetër, të gjitha bankat po kalojnë një periudhë krize, të paktën duke nisur nga që viti i kaluar e deri në krizën më të fundit të një jave më parë. Ajo çka është më interesante është se njeriu që i ka marrë bankës rreth 5 miliardë euro ende nuk e di se ku ka gabuar. Të paktën kjo është deklarata e tij e fundit në policinë e Parisit. Për dy ditë e dy net, djali i ndrojtur i një punëtori metalurgjie dhe një parukiereje, është marrë në pyetje nga specialistët e krimit financiar. Në shtypin francez, 31-vjeçari që prej disa ditësh përshkruhet si një person me aftësi normale, pa ndonjë talent, apo gjenialitet të dukshëm mbi të cilin shumë shpejt mund të rëndojë zyrtarisht akuza për fatin e një shume të jashtëzakonshme parash që mund ta bëjë këtë rast më të famshmin e këtij lloji në botën e financave ndërkombëtare.

Skandalet financiare

1987

Merrill Lynch

Një tregtar i sektorit të parashikimeve të Bankës Amerikane akuzohet për grumbullim humbjesh me vlerë 377 milionë dollarë

1993

"Metalgesellschaft"

Ishte një nga industrialët më të mëdhenj gjermanë (20 mijë të punësuar) deri në momentin e humbjes gjigande prej 1.5 miliardë dollarëve

1994

"Orange Country"

Fondi i investimeve të "Orange Country", një rajon kalifornian humbi 1.7 miliardë dollarë të investuar në borxhe dhe derivate

1995

Barings dhe Daiwa

Banka Baring falimenton pasi një tregtar grumbullon 1.4 miliardë humbje. Banka japoneze "Daiwa Bank" lajmëroi shkëmbime të paautorizuara prej 1.1 miliardë dollarësh

1996

Sumitomo

Humbet 2.6 miliardë dollarë për shkëmbime të paautorizuara.

1998

LTCM

Fondi spekulativ "Long Term Capital" humbet 4 milionë dollarë pas krizës së borxhit të Rusisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›