E Diel, 1 Nëntor 2026

Çka synon Serbia tash?

Skena e parmbrëmshme e tubimit të serbëve në Beograd dhe oratoria kundër Kosovës e Koshtunicës dhe e Nikoliqit na ktheu në fillim të viteve të ‘90-ta, kur Millosheviqi, përmes këso tubimesh, shpaloste shovinizmin antishqiptar dhe po përgatitej t‘ia abrogonte Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e tjera Kosovës, për ta zgjeruar përmasën e dhunës në të dhe për ta vënë nën okupimin klasik serb. Oratorët kanë ndërruar, por jo edhe protagonistët e politikës millosheviqiane. Në vend të Millosheviqit, tash po flet si ai Koshtunica. Në vend të Sheshelit, si ai po flet Nikoliqi. I njëjti ka mbetur vetëm ai regjisori laper, Koshtunica, i cili edhe atëherë gjendej përkrah Millosheviqit, e tash në krahë të këtyre dy epigonëve të politikës së tij. Zëri i Koshtunicës kundër Kosovës, nuk e befason askënd, sepse ai ishte edhe kundër vendit të vet, Bosnjës. Ishte kundër popullit të tij boshnjak, kur Kryekrimineli i Ballkanit, Millosheviqi, po bënte masakra në ta. Dhe prej atij laperi s‘ke ç‘pret tjetër. Koshtunica e Nikoliqi (si Millosheviqi e Shesheli) po e thërrasin popullin serb në tubime, për t‘i yshtur kundër Kosovës. Vetëm se nuk e kanë më mundësinë t‘i nisin tankset drejt saj, sepse këtu është KFOR-i. Dhe, çdo hap i tillë do ta bënte Serbinë që, edhe në territorin e saj, të instalohet ndonjë KFOR. U ka mbetur t‘i dërgojnë "protestuesit" (njerëzit e shërbimit sekret serb) për të provuar të provokojnë herë në Mitrovicën e Veriut, herë në Merdare. Do të provojnë ndoshta të provokojnë sërishmi në kufijtë e Kosovës.

Provoko e tërhiqu në protesta masive në Beograd e gjetiu, për ta lënë nën hije provokimin në kufijtë e Kosovës. Kjo është njëra prej veprimeve të strategjisë serbe tash. Në njërën anë synon t‘i provokojë shqiptarët, ndërsa në anën tjetër, me anë të protestave dhe djegies së ambasadave të vendeve që e kanë njohur Kosovën, të provojë, nëse kështu do të mundë ta ndalë ndonjë shtet, për të mos e njohur këtë. Qëllimi tjetër i protestave të organizuara nga qeveria e Beogradit është që t‘i tregojë botës se sa shumë e paskëshka prekur sedrën e Serbisë, për ta krijuar përshtypjen tek ajo se gjoja ka gabuar që e ka ndërmarrë këtë hap. Po qëllimi kryesor konsiston dikund tjetër: ta sensibilizojë Rusinë, që t‘i dalë në krah Serbisë, për t‘i instaluar ajo trupat e veta ushtarake aty, në mënyrë që bashkë me to t‘ia mësyjë Kosovës. Por, të gjitha këto veprime të Serbisë do të dështojnë, sepse as nuk do të mundë ta ndalë njohjen e pavarësisë së Kosovës tek ato shtete që ende nuk e kanë bërë këtë, as nuk do ta luhatë qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare për hapin e drejtë që ndërmori për ta pavarësuar Kosovën, as nuk do të mundë ta sensibilizojë Rusinë, në masën që të përballet me NATO-n, sepse ajo nuk ka fuqi për një përballje me të, por edhe politika e saj nuk është aq e çmendur për t‘i hyrë një aventure të tillë. Edhe qëllimi që, përmes provokimeve në kufij, ta destabilizojë Kosovën, Serbisë nuk do t‘i ketë rezultat, sepse populli shqiptar është shumë i matur, dhe nuk do të bëjë asnjë gabim. Serbia pret që, me provokimet në kufij, t‘i inatosë këta që t‘u vërsulen enklavave serbe, për ta krijuar argumentin te bashkësia ndërkombëtare se pavarësia e Kosovës e bëri viktimë pakicën serbe. Këtë shqiptarët nuk do ta bëjnë kurrë, sepse përpjekja e tyre ka qenë lufta kundër politikave shoviniste e hegjemoniste serbe dhe pavarësia e Kosovës, e kurrë nuk janë marrë me pakicën serbe.

Liderët serbë dhe përkrahësit e tyre kundër pavarësisë së Kosovës, pasi t‘u dështojnë të gjitha veprimet e strategjisë së tyre, do t‘i numërojnë pasojat që ia kanë bërë Serbisë edhe në vend, edhe në arenën ndërkombëtare. Kjo çmenduri e politikës serbe kundër pavarësisë së Kosovës e ka bindur përfundimisht bashkësinë ndërkombëtare se nuk duket ende në horizontin e Serbisë ndonjë politikë demokratike. E ka bindur se edhe kjo e pasluftës ishte dhe ka mbetur vetëm një kontinuitet i politikës së Millosheviqit. Dhe se për ta demokratizuar në shkallën që ajo t‘i kthehet jetës së vet, i duhet të ndërmarrë masa shtesë. Protestat masive e vandaliste të Beogradit, provokimi në kufijtë e Kosovës, janë vetëm dy nga argumentet pse bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërmarrë masa shtesë kundër Serbisë, për ta vënë në jetë atje një politikë demokratike dhe për ta demokratizuar popullin serb, i cili ende thellësisht është i prekur nga opiumi millosheviqian...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›