E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtarja, të pandehurit: Kam dashur të të ndihmoj

Një gjyqtare pranon se ka pasur gatishmërinë për të ndihmuar të pandehurin që ka gjykuar. Gjyqtarja e Apelit të Gjirokastrës, Miranda Andoni, i pohon të pandehurit, se ndoshta kishte dhënë një vendim në disfavor të tij, por gjatë procesit gjyqësor, kishte qenë e gatshme për ta ndihmuar. Personi që bisedon me gjyqtaren Andoni kishte fituar pafajësinë nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe, sipas tij, nga avokati kishte marrë konfirmimin që edhe Gjykata e Apelit do të linte të njëjtin vendim në fuqi. Madje, avokati i kishte kërkuar të mos paraqitej në gjykatë, sepse gjithçka ishte rregulluar. Por Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e asaj të Shkallës së Parë në Gjirokastër. Gjyqtarja Miranda Andoni, pas shpalljes së vendimit, pranoi se kishte qenë e gatshme për të lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, por nuk ia krijoi këtë mundësi prokuroria.

Prej disa ditësh, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka nisur inspektimin e gjykatave në vend. Anëtarë të Këshillit dhe inspektorët do të vëzhgojnë punën dhe do të zhvillojnë kontrolle në të gjitha gjykatat e rrethit dhe ato të Apelit në vend. Gjykatat e Gjirokastrës tashmë janë inspektuar dhe objekt i inspektimit ka qenë solemniteti, etika dhe disiplina e punës në zhvillimin e seancave gjyqësore. Gjatë muajit janar 2008 është trefishuar numri i ankesave të depozituara pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, krahasuar me periudhën 2005-2007.

BISEDA

E qytetarit me gjyqtaren Andoni

Qytetari: Unë vendimin e mora, vendimin e gjykatës që rrëzonte atë të Shkallës së Parë. Unë, Miranda, desha të vija në seancën e fundit. Kisha folur me këtë, Kujtimin...

Gjyqtarja: Kujtimin...

Qytetari: ... me avokatin dhe përfundimisht Kujtimi më thotë që të flas një herë me Mirandën, pastaj tha atë tjetrën, që gjoja nga biseda me ju, unë nuk duhet të vija. Më tha: fola me Mirandën, i ka parë dokumentet.

Gjyqtarja: Predispozicionin e kam pasur, por përgjigje nuk kam dhënë për lënien në fuqi, se kam pasur shumë për të diskutuar. Madje, ia kam dhënë dosjen prokurorit për t‘u konsultuar me Prokurorinë e Përgjithshme, me mendimin për të lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë. E ktheu. Jo, them që predispozicioni im ka qenë.

Sarandë

Kryedoganieri me zyrë avokatie

Kryetari i Doganës së Sarandës ka zyrë avokatie. "Fiks Fare" zbuloi dje se kryetari i degës së Doganës në Sarandë, Merdan Merja, vazhdon të ushtrojë aktivitetin privat të avokatisë në këtë qytet. Madje, vazhdon të mbajë të hapur zyrën e tij avokatore, ku duket qartë i shkruar në xham emri i tij. Gjatë bisedës me zotin Merja, gazetarja e "Fiks"-it, i prezantohet si e afërmja e një të pandehuri që kërkon të lirohet nga burgu. Ai i merr përsipër zgjidhjen e problemit, por i lë për detyrë gazetares të gjejë emrin e prokurorit të çështjes. Kur e pyet se ku mund ta gjejmë, ai i përgjigjet se tashmë është kryetar dogane, por edhe zyra e avokatisë pranë Gjykatës së Sarandës, është e tij.

BISEDA

Me kryetarin e Doganës në Sarandë

"Fiks Fare": Mirëmëngjes zoti Merdan. Anjeza... Si jeni?

Merdan Merja: Si jeni, mirë?

"Fiks Fare": Çunin e xhaxhait e kanë arrestuar si klandestin edhe më adresuan... Aty u interesova për avokat edhe më adresuan pak a shumë për te ju.

Merdan Merja: Këtu është arrestuar?

"Fiks Fare": Po.

Merdan Merja: Kur?

"Fiks Fare": Para një jave.

Merdan Merja: Është bërë masa e sigurimit garant në gjykatë? Ka dalë apo e kanë lënë arrest në burg pa afat, besoj? Di gjë kush është prokurori?

"Fiks Fare": Jo.

Merdan Merja: Me kë ke komunikuar që të marrim vesh se kush është prokurori, kush është hetuesi. Ta marr njëherë këtë prokurorin...

"Fiks Fare": Vajta dje te zyra juaj.

Merdan Merja: Deri pasdite do ta ndaj unë këtë muhabet, të marr vesh kush prokuror është, se tani ajo është në hetim dhe të shohim ç‘do bëjmë.

"Fiks Fare": Pasdite ku mund t‘ju gjej?

Merdan Merja: Këtu jam, më bëj një zile. Unë jam drejtor në doganë faktikisht, po zyrën që ke parë aty, që e gjete hapur, unë e kam. Kam atë vajzën aty, edhe ajo avokate është.

"Fiks Fare": A, keni atë vajzën, po ju a punoni aty?

Merdan Merja: Unë nuk punoj direkt aty, po them se do bëj diçka, nëpërmjet asaj vajzës që kam aty avokate, ç‘rëndësi ka, do merremi vesh ç‘do bëjmë.

"Fiks Fare": Gjithsesi, unë po kontaktoj me ju prapë.

Merdan Merja: Më bëj telefon. S‘ka problem, flasim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›