E Diel, 1 Nëntor 2026

Djepi i mitologjise rrit fantazma

Kur gjyshërit kanë probleme me nipërit që nuk i zë gjumi, kur nuk dinë më si t‘ia dalin në krye me lazdranin e vogëlushëve, atëherë i venë në shtrat dhe u rrëfejnë për ngjarje nga e kaluara e tyre, për ndodhi që nuk duhen harruar, e me të cilat ushqehet ëndrra e ardhmërisë. E kur elitat, që kanë përgjegjësi për të ardhmen e një populli, janë të paafta të hapin rrugë që çojnë përpara, ia shtrojnë popullit të tyre shtratin e mitologjisë, e aty e mëkojnë me legjenda të lavdishme për vetveten dhe rrëfime poshtëruese për të tjerët. Pra, e dehin me lëngun e lavdisë kolektive, i cili ngadalë avullohet, bëhet mjegull e dendur, që nuk të lejon të shohësh realitetin ku jeton, bëhet mjegullnajë ku njeriu humb, dhe shtohet vlera e turmës.

Nga rrëfimet e gjyshit, fëmija i mëkon ëndrrat, e sforcon mbamendjen, e mbindërton realitetin ku kanë jetuar të parët e tij dhe bëhet më i gatshëm për jetë. E nga djepi i mitologjisë, populli del i trullosur, jeton jashtë kohës dhe realitetit që e rrethon, mbetet i robëruar nga fantazmat që e bëjnë të mbyllet në vetvete, i sheh të tjerët ndryshe nga sa janë. Më në fund, rrëfimi i gjyshërve për të kaluarën e tyre shpreh besimin në të ardhmen, është shprehje e dashurisë ndaj jetës; mitet janë prodhim i frikës ndaj saj. Rrëfimet e gjyshërve për atë se si e kanë mbajtur gjallë ëndrrën për jetë më të mirë, janë shëtitje nëpër kohë dhe hapësirë; mitet janë ikje nga koha, janë ushqim psikologjik për mentalitetin e robit, të cilin kur nuk ka kush ta robërojë, robëron vetveten.

Dhe nuk janë nipërit fajtorë, nëse gjyshërit nuk dinë rrëfime gjumëndjellëse, njësoj siç nuk janë popujt fajtorë, nëse kanë elita politike që s‘dinë të ofrojnë asgjë më shumë se mjegull mitologjike. Por megjithatë, nga rrëfimet e gjyshit varet e ardhmja e nipërve, dhe nga mitomania e elitave që arsimojnë dhe udhëheqin një popull, varet e ardhmja e tij.

Është e vërtetë se gjatë shekullit të kaluar, gjyshërit shqiptarë as që kishin nevojë t‘i vinin në gjumë nipërit dhe mbesat duke u rrëfyer për kësulëkuqen dhe ujkun. Mjaftonte atyre t‘u rrëfenin për Kosovën e përgjakur ku lindën, u burrëruan, por nuk arritën të plaken shumë nga ata që e flijuan për Atdheun atë më të vlefshmen që kishin - jetën. Njësoj siç është e vërtetë se, elitat serbe, një shekull të tërë, sa herë që nuk dinin nga ta çonin popullin e vet, e vinin atë në gjumë në djepin e mitologjisë së tyre për Kosovën. E kështu, qindra vite me radhë, rriteshin gjeneratat e shqiptarëve që trashëgonin ëndrrën e gjyshërve për liri, edhe gjeneratat serbe, të cilëve, shqiptarët e Kosovës u dukeshin si fantazma, e jo si njerëz të barabartë me gjithë të tjerët.

Pra, njëqind vite me radhë, në Kosovë burrëroheshin fëmijë të mëkuar me ndjesitë për lirinë, e në Serbi rriteshin gjenerata që lartësonin robërinë mbi tjetrin si vlerë më të shenjtë kombëtare. Pra, rriteshin dhe burrëroheshin shqiptarë, të cilët nuk e matnin trimërinë e tyre me atë se sa janë të gatshëm të mbronin ballin mbi sy, por me atë se sa dinin ta mbanin gjallë ëndrrën e madhe për plagën mbarëshqiptare - Kosovën e lirë. Kështu, pra, rriteshin gjenerata e gjenerata serbësh që binin gjumë në djepin e mitologjisë së tyre për Kosovën, e zgjoheshin si urrejtës ndaj një populli, të pavetëdijshëm se ai që të ardhmen e ndërton mbi mitologjinë, i ngjan deles që kullot nëpër mjegull. Pra, që nga Vlora e këndej, Kosova ishte ëndrra e një populli, rrëfim lotndjellës i gjyshërve që vinin në gjumë nipërit dhe mbesat, peshore që maste durimin e ëndërruesve, farkuese e djepit ku rritej besimi se ëndrra një ditë do të bëhet jetë.

Njëqind vite me radhë Kosova ishte vuajtja dhe shpresa e gjithë shqiptarëve. Dhe njëkohësisht, njëqind vite me radhë Kosova ishte lëngu dehës mitologjik për popullin serb, ishte shembull se si një popull i tërë mund të bëhet rob i vetëgënjimit të vet, të përsëritur dekada me radhë, nëpër libra të historisë, punime "shkencore", në këngë popullore, në parulla politike... Derisa u bë baltë ngjitëse, e cila edhe sot e kësaj dite nuk i lë serbët të shohin se beteja mes ëndrrës për liri dhe trilleve mitologjike ka marrë fund, se këtë betejë e fitoi ëndrra qindravjeçare shqiptare vetëm për shkak se ishte shumë e njerëzishme dhe nuk dëmtonte askënd, se përballë kishte mitologjinë serbe që ushqehej me gjakun e të gjithë joserbëve, me gjakun e të gjithë atyre që besonin se toka nuk ka as përkatësi etnike, as religjioze, por u takon atyre që shkelin mbi të dhe varrosen nën të.

Reagimet e Beogradit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dëshmojnë se këto hapësira të Ballkanit ende do vuajnë nga mitologjia serbe, se një pjesë e madhe e elitave serbe ende qëndron ulur pranë sofrës ku shërbehet pija e mitologjisë, dhe si të tillë, të dehur nga kjo pije, nuk arrijnë ta kuptojnë se Kosova e pavarur është drejtësi për shqiptarët dhe mundësi për serbët, që ngutazi të dalin nga shekulli i nëntëmbëdhjetë e t‘i kthehen kohës ku jetojnë. Të kthehen në shekullin njëzetenjë, nga lartësitë e të cilit do shohin se mitologjia serbe, këtij populli ia mori të sotmen, e çoi të ecë mbi tokën përplot me varre masive të shqiptarëve të vrarë e të varrosur anekënd Serbisë, e çoi të jetojë me mallkimin e shumë nënave shqiptare, boshnjake e kroate, se shkaku i kësaj mitologjie, Ballkani, u përgjak ashtu siç nuk ishte përgjakur as në kohët kur njerëzit e këtyre anëve ishin më të panjohur për njëri-tjetrin, se sa sot në kohën e internetit. Pra, ta kuptojnë se mitologjia e tyre serbët i la jashtë kohës, e shumë nëna të popujve të tjerë i veshi në të zeza dhe ua mori më të vlefshmen që kishin, fëmijët, që duhej të jetonin ëndrrën shekullore.

Pjesa e parë e betejës mes mitologjisë gënjeshtare serbe që e dehu këtë popull, edhe ëndrrës njerëzore shqiptare për liri e drejtësi, ka përfunduar. Tani ka filluar pjesa e dytë e kësaj beteje. Njësoj vendimtare sa e para. Ka filluar pjesa e betejës që do duhet të dëshmojë se vallë të dehurit nga mitologjia do arrijnë të kthjellohen e të përballen me fatkeqësitë që u sollën popujve të kësaj pjese të Ballkanit, apo edhe më tej do mbeten në mjegullën e vetëgënjimit se janë popull "hyjnor", të cilit ia ka zili dhe e urren e tërë bota e civilizuar. Në pjesën e dytë të kësaj beteje, gjithsesi do marrim pjesë edhe gjithë ne të tjerët që jetojmë në këto troje. E veçanërisht kosovarët, të cilët do duhet të dëshmojnë se ëndrrën për liri e kanë ëndërruar drejt, se e kanë kuptuar se liria vetjake është e varur nga liria e tjetrit. Pra, se liria e shqiptarëve të Kosovës do matet me atë se sa e shijojnë atë edhe joshqiptarët e atjeshëm. Kuptohet, kjo nuk vlen për ata serbë që ëndërrojnë shfarosjen e shqiptarëve. Liria e kosovarëve do matet edhe me atë se sa ata do u ndihmojnë bashkëqytetarëve të tyre serbë të dalin nga djepi i mitologjisë, ku gjatë një shekulli i mëkoi Beogradi, pa i lejuar të rriten e të bëhen qytetarë të denjë të së sotmes.

Kosova e sotme është mundësi për shqiptarët - kudo që jetojnë ata - që të bëhen shembull të ëndërruesve të drejtë e të njerëzishëm, që ëndrrën e tyre për liri nuk e shtrinë aq gjerë e gjatë që t‘i ngjajë hijes së arrës nën të cilën nuk mund të rritet asgjë. Se rrëfimet e gjyshërve shqiptarë i kanë mësuar nipërit të falin, e të mos harrojnë, t‘i besojnë ëndrrës dhe atë të mos e çnjerëzojnë. Për dallim nga mitologjia serbe, e cila nga populli kërkon ai të mos kujtojë asgjë, as varrezat masive që Beogradi i mbushi me viktima të pafajshme në emër të popullit serb, e as vuajtjet e shqiptarëve që dinin të luftojnë për të mbrojtur vatrat e veta, por kurrë nuk u mësuan të urrejnë cilindo popull. Dhe kjo është ajo më madhështorja që e dëshmoi ëndrra qindravjeçare e shqiptarëve - se trimëria njerëzore të mbrosh tënden, nuk mbështetet mbi verbërinë e urrejtjes ndaj cilitdo populli.

Tani, kur shqiptarët e jetojnë ëndrrën e tyre shekullore, nuk duhet të lejojnë që shkëlqimi i saj t‘i verbërojë sa mos ta vërejnë se disa qarqeve serbe ende nuk u ka kaluar dehja nga mitologjia. Këtë veçanërisht duhet ta kenë parasysh shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët momentalisht janë qytetarët më të pambrojtur në këtë pjesë të Ballkanit. Këtë duhet ta kenë parasysh edhe shqiptarët e Maqedonisë, sepse, sa herë që serbëve u është rrënuar kalaja e mitologjisë së tyre, ata e kanë thirrur në ndihmë Moskën të ndihmojë në destabilizimin e kësaj pjese të Ballkanit. Andaj, shqiptarët e Maqedonisë duhet ta kenë të qartë se jetojnë në shtet ku nuk janë të pakta qarqet që më shumë e duan Kosovën nën Serbi, se sa Maqedoninë sovrane. Më në fund, edhe etniteti maqedonas ka ëndërruesit e tij, e të cilët shpeshherë kanë ëndërruar mbrapsht. Apo edhe ëndrrat dhe mitet i kanë huazuar nga të tjerët. Ashtu siç u ka hije ëndërruesve të paaftë, që i ngatërrojnë ëndrrat, e që shpeshherë janë më të bezdisshëm se të dehurit nga mitologjia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›