E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacientët, tani firma paraprake për shërbimin e spitalit

Letra informative, që referon të gjitha pikat ku mjeku dhe pacienti bien dakord për shërbimin spitalor, do të jetë kusht edhe në Shqipëri. Një propozim i Qendrës Kombëtare të Akreditimit të Sigurisë dhe Cilësisë së institucioneve shëndetësore për vitin 2008 është edhe letra informative. Në këtë letër shkruhen të gjitha trajtimet, diagnostikimet, apo ndërhyrjet që kryen në spital dhe për të cilat pacienti bie dakord. Në vendet perëndimore, kjo fletë informative shërben jo vetëm për të informuar pacientin, por njëkohësisht edhe për argumentime në raste gabimesh mjekësore. Veç sigurisë, kjo do të shërbejë edhe si një dokument që do të njohë më mirë pacientët me shërbimin që u ofrohet, duke promovuar më tej të drejtat e tij. sipas drejtorit të qendrës së sigurisë, Isuf Kalo, pacientët në Shqipëri nuk janë shumë të informuar lidhur me të drejtat apo mënyrën se si duhet të trajtohen në spitale. Ata nuk kërkojnë shumë shpjegime dhe marrin të mirëqena duke pranuar çdo gjë nga mjekët. "Secili pacient duhet të jetë i informuar për të drejtat e tij dhe letra informative, ku do të shënohen dhe pacienti do të nënshkruajë miratimin e tij, është një dokument i nevojshëm", sqaroi Kalo. Propozimi për vendosjen në zbatim të kësaj procedure është në projektet e 2008 të Qendrës së Cilësisë dhe Sigurisë. Ajo do të diskutohet mes përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe do të shqyrtohet nga Komisioni i Shëndetësisë. Një dokument i tillë mendohet të ulë edhe debatin e gabimeve mjekësore, shifrat e të cilave ndryshe nga vendet e tjera evropiane, në Shqipëri nuk bëhen asnjëherë publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›