E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama fton ekspertë gjermanë të trafikut për Unazën e Re

Kryetari i bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama, ka ftuar një grup konsulentësh gjermanë për trafikun, për të gjetur një zgjidhje për lëvizjen e automjeteve në Unazën e Vogël. E pikërisht aty ku vetëm pak ditë më parë, gjatë punimeve, u zbuluan mure rrethues dhe kulla, për të cilat arkeologët dhe historianët po punojnë për datimin e tyre. Një informacion të tillë e ka bërë të ditur dje nënkryetari i bashkisë, Eduard Shalsi. Ai tha se bashkia po koordinon punën për të gjetur zgjidhjen më optimale, për sa i takon trafikut në pjesën e Unazës së Vogël, ku u zbuluan rrënoja të reja nga kalaja e Tiranës. "Sikundër jeni në dijeni, gjatë punimeve për rikonstruksionin e Unazës së Vogël u zbuluan disa rrënoja që nxjerrin në pah elemente të reja të kalasë, me rëndësi për historinë e Tiranës. Kryetari i Bashkisë ka kërkuar përfshirjen, angazhimin dhe koordinimin e të gjithë ekspertëve, Institutin e Monumenteve të Kulturës, historianëve, arkeologëve, por edhe ekspertëve të trafikut, për të gjetur një zgjidhje optimale", tha Shalsi në një dalje publike. Ai sqaroi se nisur nga ky kontekst, "kryetari i bashkisë ka ftuar një grup konsulentësh gjermanë për trafikun, të cilët kanë filluar nga puna për të analizuar dhe për t‘i dhënë zgjidhje çështjes së lëvizshmërisë në këtë segment". Sipas Shalsit, ekspertët po studiojnë trafikun në Tiranë për të parë mundësinë e rimodelimit të tij në pjesën e Unazës së Vogël, duke analizuar variante të devijimit për shkak të këtyre gjetjeve. Për drejtuesit e pushtetit lokal kryeqytetas, këto analiza mbështeten në të dhëna të mëparshme, por edhe të reja. "Në rast se ndryshon një skenar lëvizjeje te një segment i Tiranës (siç po rezulton deri më tani te kjo pjesë e Unazës së Vogël) duhet të rimerret në konsideratë edhe një herë e gjithë mënyra e lëvizjes, pasi vetëm një studim i plotë dhe i integruar do të përcaktonte në mënyrë optimale zhvillimin e trafikut në qytetin e Tiranës", theksoi dje Shalsi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›