E Diel, 1 Nëntor 2026

Verdhëza, të prekura edhe gratë shtatzëna

Verdhëza apo hepatiti, pavarësisht stadit A, B apo C, ndodhet edhe në organizmin e grave shtatzëna. Rreziku i prekjes së këtij virusi edhe te gratë shtatzëna është vënë në dukje nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili vetëm pak kohë më parë ka publikuar studimin e tij: "Prevalenca e virusit të hepatitit te gratë shtatzëna". Numri i grave shtatzëna në Shqipëri që mbartin virusin e hepatit A, B apo C është i konsiderueshëm. Madje sipas specialistëve të ISHP-së, duke përfshirë të gjithë numrin e qytetarëve shqiptarë që janë të prekur nga hepatiti, vendi ynë ka kaluar në kategorinë e vendeve që raportojnë numra të lartë pacientësh. "Bota mund të ndahet në tri zona, aty ku prevalenca e HBV është e lartë (mbi 8%). Në këtë zonë futen vende si Juglindja e Azisë, Afrika, pjesë të Lindjes së Mesme dhe disa vende të Evropës Lindore. Në këtë grup është futur deri tani edhe Shqipëria, me mesatarisht nga 2-8%", raportohet nga studimi. Sipas këtij raporti, megjithëse prevalenca e Hepatitit A në vendin tonë është shumë e lartë, shqetësimi madhor mbetet Hepatiti B dhe Hepatiti C. Nga të tre këto viruse, preken edhe gratë shtatzëna.

Studimi

Në studim janë përfshirë 500 gra shtatzëna, të përzgjedhura nga 4 rrethe të Shqipërisë dhe konkretisht nga Tirana, Shkodra, Vlora dhe Durrësi. Ato u zgjodhën në mënyrë të rastësishme në maternitetet e këtyre rretheve. Kontingjenti i këtij studimi, gratë shtatzëna, konsiderohen nga të gjithë si grup i shëndoshë i popullatës dhe që shërben si grup-kontrolli kundrejt atyre në risk. Për të gjithë pjesëmarrëset u plotësua një pyetësor në lidhje me karakteristikat social-demografike, punën specifike profesionale, si dhe numrin e shtatzënive të mëparshme. "Prevalenca e hepatitit në studimin tonë rezulton të jetë 6.4%. E parë kjo në vartësi të vendbanimit, rezulton që ishte më e ulët në gratë shtatzëna të rrethit të Tiranës (5%) dhe më e lartë në rrethin e Vlorës, me 11.5%", thuhet në studim. Konkretisht janë konstatuar 32 raste pozitive dhe 468 negative. Sipas raportit, pjesa më e madhe e të prekurave me hepatit ka qenë grupmosha pa punë, si dhe ato gra që kanë pasur nivel jo të lartë arsimor.

Përfundimet

"Prevalencën më të lartë në lidhje me profesionin e gjejmë te kategoria e të papunave, me 7.3%, ndërsa për sa i takon arsimimit, numri më i lartë gjendet te gratë me arsim 8-vjeçar, të mesëm dhe arsim të lartë më pak". Mendohet se gratë me nivel arsimor të lartë e njohin më mirë këtë infeksion, janë më të ndërgjegjësuara për rrugët e marrjes së tij, si dhe për faktorët e riskut. Por grupmosha e cila duhet të ishte më pak e prekur nga verdhëza, në mënyrë të veçantë Hepatiti A, paraqet edhe numrin më të lartë të të infektuarave. "Është absolutisht e nevojshme që të promovohet dhe të adaptohet një strategji e re për kontrollin e infeksionit kundrejt hepatiteve, sidomos në disa grupe me risk, si dhe te gratë, të cilat do të bëhen nëna", sugjerojnë specialistët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›