E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet, PDK i kërkon qeverisë të ndërhyjë

PDK kundërshton rritjen e frikshme të çmimeve në tregun shqiptar. Demokristianët i kërkojnë Berishës të ndërmarrë masa penalizuese ndaj spekulantëve që kanë rritur çmimet në treg.

Në një komunikim për shtyp të nënkryetarit të grupit parlamentar të PDK-së, Jak Ndokaj kërkon që të kompensohen familjet në nevojë nga kjo rritje drastike. "Gjykojmë se rritja e çmimeve përbën një zhvillim jopozitiv dhe me efekt të ndjeshëm për xhepin e qytetarëve, sidomos te shtresat në nevojë", tha ai. Në kohën kur çmenden çmimet në tregun shqiptar, qeveria heq përgjegjësinë nga vetja duke ngritur supet dhe duke ua faturuar fajin tregtarëve. Demokristianët kërkojnë më shumë nga qeveria ku ata bëjnë pjesë. "Është e vërtetë se qeveria nuk mund të përcaktojë çmimet e produkteve në treg, por nga ana tjetër qeveria ka një seri mekanizmash të cilat mundësojnë lehtësimin e barrës së rritjes së çmimeve ndaj qytetarëve, ku si masë paraprake duhet të jetë kompensimi i shtresave në nevojë", tha Ndokaj. Po kështu, aleatët e koalicionit qeveritar kërkojnë që organet tatimore të marrin masa që ky fenomen të mos kthehet në një spekulim për qëllime fitimi. "Ne jemi sidomos të shqetësuar për mënyrën jotransparente dhe të papërgjegjshme të reagimit të disa institucioneve shtetërore, të cilat kanë detyrë kushtetuese kujdesin për jetën, të drejtat dhe interesat e qytetarëve", citohet në komunikatën për shtyp të PDK-së. "Duam t‘i rikujtojmë Ministrisë së Financave, Drejtorisë së Tatimeve, Autoritetit të Konkurrencës dhe Zyrave për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe Konsumatorit, se ushqimi i njeriut nuk ka të bëjë me ideologji politike dhe klauzola ligjore. Qytetarët kanë votuar për këtë qeveri që të sigurojnë një mirëqenie më të lartë për veten dhe familjet, jo për të shtuar lista të tjera të gjata në vargun e listave me mallra ushqimore të papaguara", tha Ndokaj. Sipas tij, është detyrë e qeverisë të marrë masa kontrolli, të krijojë një paketë kompensimi dhe të asistojë qytetarët për garantimin e furnizimit normal me ushqime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›