E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre në pranga, shpërndanin drogë në shkolla

Brenda një harku kohor prej pak muajsh, një tjetër grup i akuzuar për drogë në Tropojë bie në prangat e policisë. Dy net më parë, në qytetin e B. Currit, pas një aksioni të koordinuar të antikrimit dhe antidrogës janë arrestuar Kurtish Haxhiu, 22 vjeç, nga B. Curri, Amirald Danjolli, 25 vjeç, gjithashtu nga B. Curri, si dhe Agim Ahmati, 47 vjeç, nga Margegaj. Të tre këta akuzohen për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike, e cila, sipas burimeve zyrtare, u është gjetur në banesat e tyre. Përkatësisht Haxhiut i është gjetur dhe sekuestruar 85 gramë kanabis sativa, ndërsa Danjollit dhe Ahmatit nga 1.5 kg secilit. Siç mësohet nga zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Kukësit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Haxhiut është gjetur edhe një sasi municioni, konkretisht 2 krehëra me fishekë automatiku, gjë që shton një akuzë tjetër ndaj tij, atë të mbajtjes së municionit luftarak pa leje. I njëjti burim i policisë ka pohuar se aksioni për kapjen e tre personave kishte nisur dy ditë më parë, ndërsa natën e shkuar janë shoqëruar në komisariat edhe 9 persona të dyshuar, të cilët, pas marrjes në pyetje ishin lënë të lirë. Aksioni i policisë ishte shtrirë edhe përtej qytetit të B. Currit, ndërsa personat e përmendur janë arrestuar në flagrancë në banesat e tyre aty nga ora 23.30.

Zëra jozyrtarë nga policia, si dhe banorë të qytetit verior, thonë se dyshohet për një rrjet të gjerë të drogës, i cili ka pasur si qëllim tregtimin e lëndës narkotike në mesin e nxënësve në B. Curr, si dhe në Kosovë, por i mbetet prokurorisë ta vërtetojë një pistë të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›