E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeprokurorja, analizë me dyer të mbyllura

ndërsa të gjithë mikrofonat ishin vendosur drejt saj, gjithçka ka marrë një tjetër drejtim. Prokurori i rrethit gjyqësor, Arian Ndoja, në krah të së cilit ishte Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ia ka dhënë fjalën për të prezantuar punën e organit të akuzës gjatë vitit të kaluar paraardhësit të tij, prokurorit Nasip Naçe. Vetëm 5 minuta ka zgjatur prania e mediave në prezantimin e ish-kreut të akuzës durrsake. Prokurorja ka kërkuar që analiza vjetore e punës së prokurorive të rretheve gjyqësore Durrës, Elbasan, Kavajë dhe e Prokurorisë së Apelit Durrës të vijojë pa praninë e gazetarëve dhe operatorëve. Ndërkohë, media ishte njoftuar zyrtarisht, si gjithmonë, për të marrë pjesë në analizën vjetore të akuzës durrsake. Nxjerrja jashtë e gazetarëve është argumentuar nga prokurori i sapoemëruar Ndoja me rrezikun që mbart në vetvete nxjerrja e "sekretit shtetëror". Një ditë më parë, në Shkodër kryeprokurorja shqiptare deklaroi se do të merren masa të ashpra ndaj çdokujt që cenon ruajtjen e sekretit hetimor. Në këtë vazhdë dhe puna e bërë përgjatë një viti nga prokuroritë e disa prej rretheve të Shqipërisë së Mesme, janë vlerësuar si të tilla. Interesimit të medias për të asistuar në fjalën e prokurores Ina Rama i është përgjigjur mbyllja e dyerve, ndërsa analiza ka vazhduar për disa orë dhe përgjatë saj nuk kanë munguar as kritikat ndaj prokurorëve. Në Prokurorinë e Rrethit të Durrësit, gjatë vitit të kaluar janë kryer hetime për 1790 procedime penale, ndërsa 368 procedime kanë qenë të mbartura nga viti 2006. Ndërkaq, numri i të pandehurve nën akuzë përgjatë një viti ka qenë 1389 persona, nga të cilët 328 janë lënë në masë sigurie arrest me burg. Për të shfryrë dhomat e mbipopulluara të paraburgimit, sipas prokurorit Naçe, theksi është vënë në aplikimin si masë sigurie të garancisë pasurore, e cila është aplikuar në afro 160 të pandehur. Në 1360 raste janë mbyllur hetimet paraprake, ndërsa për këtë vit janë mbartur 430 procedime penale. Tremujori i fundit i vitit ka qenë i ngjeshur në aktivitetin e prokurorisë. Janë regjistruar 291 procedime penale. Ndërkaq, për rastet kur nuk është filluar procedimi penal, kryesisht për shkak të pamjaftueshmërisë së provave, është kryer regjistrimi i tyre në një regjistër të veçantë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›